Vuçiq: Me Kurtin s’ke çka bisedon, ai flet vetëm për vuajtjet e tij nga Millosheviqi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Perëndimi do të dëshirojë t’ia marrë nga xhepi kartën e Kosovës presidentit rus Vladimir Putin.

“Edhe për ne do të jetë vështirë për shkak të komplikimit të situatës në botë. I shikova fjalimet edhe të Putinit edhe të Bidenit dhe të dy treguan se janë të pakompromisë. Kjo do të na sjellë neve probleme shtesë sepse Perëndimi do të dëshirojë t’ia marrë Putinit kartën e Kosovës nga xhepi, dhe do të ketë presione edhe për sanksione”, tha Vuçiqi në televizionin serb “Pink”.

Këtu, ai foli edhe për takim e së hënës së ardhshme në kuadër të dialogut të Brukselit, ku tha se me kryeministrin Albin Kurti nuk ka shumë çfarë të bisedohet.

“Do të shohim, me Kurtin s’ka shumë biseda, unë gjithmonë do të shkoj për të biseduar, por aty s’ka biseda. Ai fillon të flasë për Slobodan Milosheviqin, për ndonjë vuajtje të veten, s’po di… për Adem Demaçin… dhe ju e kuptoni se ai ka mbetur në atë kohë, dhe kaq. Unë do të flas për AKS-në, sepse e di që ai kurrë nuk do ta formojë atë, ai do të kërkojë që Serbia fillimisht ta njohë Kosovën… Nuk mund të më befasojnë me asgjë, i di të gjitha truqet e tyre”, deklaroi presidenti serb, sipas mediave serbe.

Tutje, ai e quajti Nenad Rashiqin, ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, “Diler droge” dhe Rada Trajkoviqin, këshilltare në qeverinë e Kosovës, “ikebane për nxjerrjen e marrëzive”.

Duke folur për kritikat ndaj politikave të tij rreth Kosovës, ai pyeti “a dëshironi paqe” apo që “fëmijët tuaj t’i dërgoni në luftë”.

“A dëshironi paqe? Mos vajtoni se gjithçka në botë është tradhti”, tha Vuçiqi në këtë deklarim për mediat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *