Sistemi vëzhgues i forcave ajrore rumune ka zbuluar një cak ajror që dukej si balonë për vëzhgimin e motit duke fluturuar në hapësirën ajrore të Rumanisë, tha të martën Ministria e Mbrojtjes.
Dy aeroplanë të tipit “MiG 21 LanceR” u dërguan në zonë, në juglindje të vendit, dhjetë minuta pasi balona u pa, por nuk mund ta konfirmonin praninë e cakut, tha kjo ministri, duke shtuar se balona ishte duke fluturuar në lartësi prej 11 mijë metrash, raporton agjencia “Reuters”.
Së fundi, një balonë kineze është rrëzuar nga ushtria amerikane, e cila ka zbuluar edhe objekte të tjera në ShBA e Kanada. Ushtria amerikane ka gjetur “mbetje të konsiderueshme” të një balone kineze të vëzhgimit, e cila u qëllua dhe u rrëzua këtë muaj, ka njoftuar Pentagoni.
Shtëpia e Bardhë ka pretenduar se Kina ishte duke përdorur një program të balonave me lartësi të madhe për t’i spiunuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre për shumë vjet.