Nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit në rajonin kufitar mes Turqisë dhe Sirisë kanë mbetur të pastrehë 1.2 milion banorë në Turqi, tha presidenca e këtij shteti.
Ky njoftim vjen teksa ka të ngjarë që të mbijetuarit e fundit janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të shembura.
Një djalë 13-vjeçar është personi i fundit që u nxor i gjallë nga rrënojat pas 182 orëve në provincën Hataj.
Ndërkaq, 176.000 tenda janë ngritur në zonat më të prekura nga tërmetet. Agjencia për fatkeqësi në Turqi tha se mijëra persona të tjerë po jetojnë në kontenierë, dhe pothuajse 400.000 persona janë evakuuar nga zonat e prekura nga tërmetet.
FotogaleriMobilizimi për të siguruar ushqim për të prekurit nga tërmeti
Më herët gjatë të hënës, janë shpëtuar nga rrënojat edhe disa persona.
Teksa shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë po veniten, numri i përgjithshëm i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri, të hënën arriti në mbi 35.000, kanë raportuar mediat ndërkombëtare. Ndërkaq, agjencia shtetërore e lajmeve turke, Anadolu, duke cituar agjencinë për fatkeqësi, tha se numri ka arritur në 37.500.
Faza e shpëtimit “është drejt fundit” dhe tani pritet që përpjekjet të përqendrohen në ofrimin e strehimit dhe ushqimit për të mbijetuarit, tha shefi për ndihmë i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, gjatë vizitës në Alepo të Sirisë më 13 shkurt.