Humbja 3:1 kundër Monaco gjatë ditës së djeshme nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve parisienë. Në zhveshtore janë dëgjuar përplasje të forta verbale mes drejtorit sportiv, Luis Campos, dhe lojtarëve brazilianë si Neymar dhe Marquinhos.
Edhe pse PSG ka shpenzuar një mori parash gjatë këtyre viteve ka dështuar ta ndërtojë një harmoni në skuadër. Raportimet e medieve franceze për zënka në zhveshtoren e skuadrës janë bërë thuajse të përjavshme dhe rutinore.
Diçka e tillë ndodhi edhe dje, kur PSG regjistroi humbje kundër Monaco në udhëtim. Drejtori sportiv, Luis Campos, ka zbritur nga shkallët e stadiumit për t’iu drejtuar zhveshtores. Aty më pas janë dëgjuar disa grindje të forta mes tij dhe përfaqësuesve brazilianë, si Neymar dhe Marquinhos.
Drejtori sportiv i klubit kritikoi një pjesë të skuadrës për mungesë të agresivitetit në fushë, por jo vetëm kaq. Diçka e tillë nuk u pëlqeu binomit brazilian Neymar dhe Marquinos, të cilët ngritën tonin e tyre duke replikuar zëshëm. Madje, zënka ka qenë aq dinamike, saqë është përdorur gjuha amtare, gjegjësisht ajo portugeze – duke befasuar kështu edhe stafin teknik të ekipit, për formën që mori kjo grindje.
Raportohet se Neymar ka përdorur edhe fjalë aspak miradije në drejtim të disa prej bashkëlojtarëve të skuadrës. Sipas raportimeve të shtypit francez ai që më së shumti ka qenë në qendër të kritikave nga Neymar është sulmuesi i ri, Hugo Etikete.
Tre humbje dhe një barazim në shtatë ndeshje të kampionatit gjatë vitit të ri kalendarik janë tregues i një ecurie aspak pozitive për kampionët në fuqi të Francës, posaçërisht disa ditë para ndeshjes kyçe që kanë në program kundër Bayernit në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve.
Mbrojtësi Kimpembe u mundua që ta amortizojë paksa një ambient aspak të qetë, duke dalë para medieve dhe duke thirrë për të qëndruar të bashkuar.
“Gjëja më e rëndësishme është që të mbetemi të bashkuar, pavarësisht të gjitha gjërave që thuhen dhe pavarësisht krejt asaj çfarë po ndodh. Ky është mesazhi që dua të dërgoj”, përfundoi ai.
Edhe pse forma e PSG lë shumë për të dëshiruar, rivalët prapëseprapë nuk janë në lartësinë e duhur për ta rivalizuar atë seriozisht në garën për titull. Dallimi në pikë me vendin e dytë, respektivisht rivalin e urryer Marseille është prej 5 sosh.