E vrau dhe ia dogji trupin vëllait të tij, ky është rahovecasi që u dënua me burgim të përjetshëm

Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Gani Kriezi i cili sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë,në shkurt të 2020-ës në Bërnjak të Rahovecit, e ka vrarë dhe më pas e ka djegur vëllanë e tij, B.K, raporton Gazeta Sinjali.

Ndaj Kirezit rënduan dy vepra penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në njoftimin për medie, thuhet se kryetari i trupit gjykues i departamentit për krime të rënda, Drilon Haraçia, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burgim të përjetshëm.

“I pandehuri G.K., akuzohet se me datën 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, për shkak të konflikteve që kishin mes tyre lidhur me pronën, i akuzuari G.K., me dashje ka privuar nga jeta vëllain e tij, B.K., ku me pas e ka djegur trupin e të ndjerit dhe mbetjet i ka hedhur në një vend deri tani të pa identifikuar, me qëllim për ti zhdukur gjurmët e krimit”, thuhet në njoftim.

Gazeta Sinjali, në vitin 2020 kishte raportuar për ngjarjen e tmerrshme që kishte ndodhur në Bërnjak të Rahovecit.

Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, Gani Kriezi, me dashje kishte privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K.

Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, Gani Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë euro, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, Altinit Jashar Cukiqit, në emër të një borxhi.

Aktakuza thotë se gjatë një bisede të përbashkët, i akuzuari ishte fyer nga tani i ndjeri, me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i revoltuar nga kjo, i akuzuari kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit B.K, hyn brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendosë në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: drunj, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit thuhet se i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, më qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të Kodit Penal, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje sipas prokurorisë, i pandehuri më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *