Me mbërritjen në zonat e prekura nga tërmeti i fuqishëm i 6 Shkurtit, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha për mediat se të gjitha institucionet po punojnë për përballimin e kësaj fatkeqësie.
Erdogan u shpreh se puna e ekipeve të kërkim-shpëtimit po vijon, tashmë 57 orë pas tërmetit tragjik e po ashtu po bëhet gjithçka sipas tij për strehimin e njerëzve të cilët kanë mbetur pa shtëpi.
“Të gjitha institucionet janë në këmbë bashkë me bashkitë pavarësisht ngjyrës politike, ditën e parë kishim disa probleme por tani situata është më nën kontroll.”
Numri i të vdekurve në Turqi thotë Erdogan ka shkuar në 8547 mijë, ndërsa të plagosur janë mbi 49 mijë.
“Qendra e goditjes së tërmetit ishte pikërisht këtu ku ndodhem unë, janë goditur 10 qarqe të Turqisë. Aktualisht konfirmohen 8574 të vdekur, 49133 të plagosur dhe 6444 godina të shembura. Jam i bindur se njerëzit do të kenë durim për të përballuar këtë fatkeqësi.”
Presidenti turk theksoi se qeveria ka synim të mbyllë procesin e rindërtimit të godinave të shkatërruara brenda një viti dhe se çdo familje e prekur nga tërmeti do të marrë 10 mijë lira.
“Nuk lejojmë që njerëzit tanë të qëndrojnë në rrugë, është koha të ecim të gjithë bashkë si popull. Pas një viti do ngremë godinat e reja, qëllimi ynë është të mballimin rindërtimin brenda një viti. Jemi gati me të gjitha kapacitetet tona hotelerike për strehimin e njerëzve, po bëjmë çdo gjë për t’ju garantuar ushqim, veshmbathje dhe transportimin në zonat e tjera. Ministria e Financave ka përcaktuar buxhetin për të nisur verifikimet e dëmeve dhe do japim 10 mijë lira për çdo familje të prekur nga tërmeti, në mënyrë që të përballojnë këtë situatë”- përfundoi Erdogan.