Shefi i EULEX-it, Wigemark: Situata në veri mund të përshkallëzohet lehtësisht

Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë shprehu shqetësimin për situatën e brishtë në veri të vendit.

Situata mbetet e tensionuar në veri edhe pasi fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në dhjetor 2022, kur serbët ngritën barrikada në rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë serbe.

“Unë mendoj se kjo ishte kriza më serioze me të cilën po përballet Kosova, në veçanti Kosova veriore, për dekadën e fundit, për dhjetë vitet e fundit. Pati një ngecje shumë të tensionuar, me barrikada”, tha dje për AP-në Lars-Gunnar Wigemark, kreu i EULEX-it.

Ai tha se situata mbetet e paqëndrueshme dhe paralajmëroi se kriza mund të përshkallëzohet lehtësisht.

Rreth 130 policë të misionit të BE-së për sundimin e ligjit, i njohur si EULEX, dhe rreth 160 policë shqiptarë po monitorojnë sigurinë e zonës, duke përfshirë kryerjen e patrullave në këmbë, pasi të gjithë përfaqësuesit etnikë serbë dhanë dorëheqjen nga postet e tyre në nëntor.

“Por unë mendoj se është e rëndësishme të mos ulet vigjilenca, të themi, dhe të besoni se kjo krizë nuk ka mbaruar. Mund të përshkallëzohet lehtësisht përsëri. Ne të gjithë e dimë këtë, prandaj po e shikojmë me shumë kujdes situatën në terren”.

“Ka një sfidë e madhe që mbetet. Ka ende një vakum sigurie në veri të Kosovës pas, siç thatë ju, tërheqjes së pothuajse të gjithë policëve serbë të Kosovës në fillim të nëntorit”.

Wigemark tha se misioni që ai drejton e ka rritur praninë. “Trefishuam praninë tonë, duke përfshirë daljen nga automjetet tona dhe kryerjen e të ashtuquajturave patrulla në këmbë, zbulim, në mënyrë që popullata vendase të shohë se ne ishim atje, të jemi sa më të dukshëm dhe të përpiqemi të krijojmë besim në një situatë ku atje ishte një mungesë besimi nga të gjitha anët, ku popullata vendase nuk i beson pjesës shqiptare të Policisë së Kosovës”, u shpreh ai në këtë intervistë.

Ai tha se duhet të inkurajohen të dyja palët, si Beogradi ashtu edhe Prishtina, që me të vërtetë të bëjnë maksimumin për të zgjidhur situatën.

“Dhe unë mendoj se si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është thelbësore të ecin përpara në aspektin e integrimit në BE, gjë që është më e nevojshme se kurrë tani kur shohim se çfarë po ndodh në pjesët e tjera të Evropës, shohim se çfarë mund të sjellë destabiliteti dhe mosmarrëveshjet, çfarë lloj konflikti i tmerrshëm mund të shpërthejë. Dhe të gjithë ne shpresojmë, natyrisht, që koha e një konflikti të tillë të jetë pjesë e së kaluarës këtu në këtë pjesë të Evropës”, potencoi Wigemark.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion vendit të tij të vogël ballkanik për të pranuar një asociacion kontestues të komunave me shumicë serbe që po rrit tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha në intervistën për AP-në të dielën se qeveria serbe duhet të njohë pavarësinë e të gjitha ish-republikave të ish-Jugosllavisë në mënyrë që të “përballet me të kaluarën”.

Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, jo Rusisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *