Vjosa Osmani e nënshkruan dekretin: Nesër ditë zie për Turqinë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani të mërkurën ka shpallur Ditë Zie Shtetërore në Kosovë pas tërmetit që ka ndodhur në Turqi.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se përballë këtyre tragjedive duhet mbështetur njëri-tjetrin.

Më shumë se 5 mijë viktima janë konfirmuar të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, ndërkaq mijëra të tjerë janë akoma nën rrënoja. Një tragjedi e përmasave shkatërrimtare që ka shkaktuar trishtim e dhimbje kudo në botë, përfshirë në Kosovë. Dhimbje pafund për viktimat e për ata që përjetuan tmerrin e humbën më të dashurit por edhe shpresë për ata që ende ndodhen nën rrënoja”, ka shkruar Osmani.

Osmani tutje ka thënë se ushtarakët kosovarë tashmë gjinden në Turqi ndërkaq Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen.

Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Fuqia shkatërruese e këtij tërmeti ka tronditur zemrat e gjithsecilit, porse mbështetja ndaj njëri- tjetrit në këto ditë tmerri ngjallë shpresën dhe besimin se jeta do të triumfojë”, përfundon statusi i saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *