Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti kanë biseduar për kushtet e tij për themelimin e Asociacionit, mirëpo nuk dha një qëndrim rreth tyre.
Pas takimit gati dy orësh me Kurtin, Lajçak para gazetarëve tha se po ashtu kanë diskutuar për planin evropian për dialogun.
Ai po ashtu nënvizoi se Kosova dhe Serbia duhet t’i implementojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara.
Lidhur me këtë takim nuk është prononcuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Mirëpo, kujtojmë se para këtij takimi Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur sot në ndërtesën e Qeverisë ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë.
Sipas komunikatës së Qeverisë, temë qendrore e diskutimit ishte procesi i dialogut, propozimi evropian dhe rruga përpara.
Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit, javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.
Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog nëpërmjet qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative.
Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.