Trajneri Jurgen Klopp ka pranuar se nuk e kupton si Chelsea u lejua të shpenzonte mbi 320 milionë euro në janar.
“Blutë” e Londrës ishin skuadra më aktive duke shpenzuar më shumë se top klubet në pesë ligat evropiane, gjë që s’kishte ndodhur asnjëherë më parë.
I pyetur në konferencë për shtyp lidhur me këto shpenzime të rivalit, Klopp bëri shaka: “Nuk flas pa praninë e avokatit”, para se të shtonte: “Nuk e kuptoj këtë pjesë të biznesit, çfarë mund të bësh dhe çfarë nuk mundësh. Janë numra të mëdhenj në këto dy afate kalimtare. Lojtarët që sollën, nuk mendova asnjëherë “pse e bënë këtë gjë?”. Të gjithë janë lojtarë të shkëlqyeshëm, nga pikëpamja ime urime sepse mund ta bëni”.
“Nuk e kuptoj si është e mundur, por nuk është se unë duhet ta shpjegoj. Shpresoj që ju e kuptoni si punon dhe atëherë është mirë”.
I pyetur nëse do të ketë përmirësime të menjëhershme te skuadra e Graham Potter, tekniku gjerman shtoi: “Po, Graham e di aty. Nuk jam i sigurt nëse Todd Boehly është shumë i interesuar, por do të ndodh me një pikë sapo të luajnë se bashku. Me kualitetin që kanë është vështirë të mos ndodh. Sa shpejtë do të arrihet, nuk e di”, përfundoi ai.
Si Liverpool, ashtu edhe Chelsea ka hasur në vështirësi këtë edicion duke qëndruar në pozitën e 10-të në tabelë. Skuadra e Klopp qëndron një pozitë më lartë me pikë të barabartë, derisa kanë bërë vetëm një transferim – atë të Cody Gakpos.