Shkuarja në pishinë dje për të miturin nga Gjakova E.S. që s’i ka mbushur ende 16 vjet, ishte ditë krejt e zakonshme vere. Por posa doli të kthehej në shtëpi ai u përball me sulm fizik, ku si pasojë mori lëndime trupore, për çka kërkoi ndihmë mjekësore në spital. 15-vjeçari dyshohet se u rrah keq nga Gegë Përkola, pronar i pishinës ‘Arbi’ në fshatin Qerim të Gjakovës. Gazeta Sinjali ka kontaktuar me babain e të miturit, i cili po ashtu dyshohet se u kanos nga Përkola, e që ka rrëfyer se si ndodhi e gjithë ngjarja pasditen e së premtes.
Babai i 15-vjeçarit, B.S., ka bërë të ditur për Sinjalin se gjithçka ka ndodhur pasi djali i tij e kishte përfunduar ditën në pishinë, ku me të dalë nga aty kishte hipur në veturë që të kthehej në shtëpi bashkë me kushëririn e tij. Sipas babait, Përkola, për të cilin thotë se nuk e ka njohur më parë, i është vënë pas me pretekstin se i mituri ka ‘shllajfitë’ duke dalë nga hapësira e pishinës ‘Arbi’, duke rrezikuar kështu jetën e të pranishmëve aty. B.S., pretendon se djali i tij u kidnapua nga pronari i pishinës, pasi thotë se e nxori nga vetura duke e rrahur dhe e mori e dërgoi në zyrën e tij, ku dyshohet se vazhdoi dhunën.
“3 ora jonë nisë me ardhë në shpi. Aty te pishina ‘Arbi’ është nji rrugë e zallit aty edhe djali nuk ka patentë shofer edhe ai pronari i pishinës gjoja ka menu që i ka grahë shpejt kerrit edhe ka çu pluhën. Mas aty iu ka vu përmas edhe kur ka ardhë në gjysë të rrugës gati pa mbrri në shpi ia ka kthy kerrin trup edhe e ka marrë djalin e ka nxjerrë prej kerrit t’u e goditë me boksa me shqelma e ka shti në veturë të vetën. E ka çu te pishina ‘Arbi’ e ka shti në zyre të vetë edhe ka vazhdu me rrehë apet. Kjo i bie kidnapim, që ma ka marrë djalin edhe ma ka çu në shpi të vetë, që është kidnapu”, tha babai i 15-vjeçarit për Sinjalin.
B.S., bëri të ditur për Sinjalin se dhuna ka vazhduar edhe në prani të shokëve të djalit të tij si dhe të personave tjerë që kishin shkuar të relaksohen në pishinë.
“E ka shti me nifar korridori që është të hymja e pishinës e ka shti t’u e goditë djalin, t’u e pa krejt shoktë edhe krejt aty 2 mijë vetë jonë konë në pishinë”, vazhdon rrëfimin ai.
Ai ka thënë se nuk ishte i pranishëm kur ka ndodhur ngjarja, pasi që ishte në punë, por se për atë që i ka ndodhur djalit të tij, u njoftua nga nipi i cili e telefonoi.
“Unë nuk jom konë ngjarje absolut, jom konë në punë, dmth t’u e goditë ai më ka thirrë nipi që u konë me to më ka thonë “daj hajde se e kanë marrë kta të pishinës ‘Arbi’ E…. edhe e kanë rrehë edhe e kanë marrë e kanë çu atje. Veturën ma kanë lonë në gjysë të rrugës vetëm e kanë marrë djalin edhe e kanë çu në pishinë, e kanë rrehë edhe vetura është në mes të rrugës”. Okej i thashë pritëm ti mu qaty unë për 2 minuta vij te kerri edhe shkojmë më kallxon për atë ngjarje”, tha B.S.
Por i njëjti pohon se veturën me të cilën djali i tij kishte shkuar në pishinë, e që mbeti në gjysmë të rrugës, nuk e gjeti aty ku i tha nipi se është. Kjo sepse, sipas tij, Përkola e kishte urdhëruar njërin nga punëtorët e pishinës që të shkojë ta marrë veturën dhe ta sjellë në hapësirën e parkingut të rezervuar për pushuesit.
“Taman gjatë rrugës unë t’u shku e paska thirrë pronari i pishinës edhe nji punëtor të vetin edhe e ka marrë veturën e ka çu te pishina në parking”, bëri të ditur ai.
Babai i të miturit tha për Sinjalin se Policinë e kishte njoftuar vëllai i tij, i cili po ashtu kishte marrë vesh për incidentin. Ai thotë se posa shkoi në zyrën e Përkolës, ka filluar të debatojë me të për atë që dyshohet se i bëri birit të tij. B.S., dyshohet se u kërcënua me vdekje nga Përkola, i cili i ishte drejtuar atij me fjalët se ‘të bëj shporë, ta mbushi barkun plumba’.
“Gjatë orës e kish pas thirrë vëllaiPolicinë, edhe unë sa kom arritë mrena aty e kemi nisë nji debat t’u folë me ta, ai ia ka nisë me kërcënime “unë ta boj ma zi se që ia kom bo djalit edhe mos më fol asni zo nuk du me ta ni se të boj shporë ty edhe djalin qëtu, krejt plumba barkun ta mbushi”. Thashë o zotni ku ki të drejtë, ku ki leje ti fmijën tem me ma ngucë. Thashë qit e vrajëm edhe mue qëtu në prezencë vrajëm se prej që të dal prej qëtuhit ti asni minutë, vetëm nëse më vran me krejt familje se unë ndryshe nuk kom me ta falë kurrë në jetë. Në ato fjalë nuk ka vonu edhe jonë hi Policia. Kur kanë ardhë Policia aty masanej na kanë marrë dy partë edhe kemi vazhdu në stacion”, rrëfeu ai.
Por babai i E.S., mohon që djali i tij të ketë përjetuar dhunë fizike nga Përkola, gjatë kohës sa ishte i pranishëm në zyrën e këtij të fundit, por vetëm kanë vazhduar kërcënimet e një pas njëshme nga pronari i pishinës ‘Arbi’.
“Nuk i ka ra, nuk e ka goditë dmth në prezencë tem, veç ka vazhdu me fjalë ofenduse t’u thonë “mos gabo me ma çu zonin edhe me më folë, asni zo ktu se ta boj ty krejt shporë të boj, ta boj ma zi se djalit ton”. Dmth në qato fjalë jonë hi Policia edhe nuk na kanë lonë me folë”, tha ai.
Sipas tij, i mituri ka pësuar lëndime trupore, pasi që Përkola thotë se me anë të goditjeve ia ka çarë buzën dhe i ka shkaktuar lëndime në vesh, ku si pasojë B.S., deklaron se i biri i tij tashmë po ka probleme me dëgjim.
“Ia ka ça buzën se i ka djali protezat edhe i ka ça buzën t’u e goditë. Prom e kom pasë dy herë te mjeku se dy herë ka kthy (vjellë), u konë në kontroll ia ka qitë do barna do infuziona po njona pjesë e veshit nuk o ka dëgjon mirë, po pres mos po i kalon deri nesër. I ka edhe shenjat në shpinë që e ka goditë ai me boksa a me çka i ka mshu”, vazhdoi tutje rrëfimin për incidentin babai i 15-vjeçarit.
Ai ka njoftuar se rastit do t’i shkojë deri në fund dhe do të kërkojë drejtësi për atë që dyshohet se i ngjau djalit të tij, pasi që thotë se Përkola nuk ka pasur të drejtë që ta godas 15-vjeçarin, por që në rast ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm, të merrte masat dhe të njoftonte organet kompetente.
“Krejt kjo ka ndodhë kishe gjoja i ka dhanë shllajf kerrit edhe ka rreziku jetën e najkujt, po ai nuk është kompetent për këtë punë me dalë. Merri numrin e tabelave edhe është Policia për këtë punë. Ai nuk ka drejtë me prekë fmijën. Edhe unë si prind, djalë të hasretit e kom kurrë shuplakë nuk i kom ra. Përqata jom i mllefosun shumë edhe nuk kom me lonë këtë punë deri në pikën e fundit nuk kom me lonë këtë punë me shku. Noshta edhe i ka dhanë shllajf nuk jom i sigurtë se nuk e di po kom thonë që du me i pa kamerat se çka ka ndodhë”, përfundoi ai.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit i cili pas intervistimit të palëve të përfshira në rast, ka nxjerrë aktvendim që Gegë Përkola të ndalohet për 48 orë. Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Kanosje’ dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’.