Albin Kurti, së paku sa ishte opozitar, nuk e kishte fshehur padurimin ndaj figurës së Rexhep Tajip Erdoganit, presidentit të tanishëm të Turqisë. Vite më parë në një fjalim në Kuvend, Kurti nuk kishte hezituar ta quante autokrat. Ndërsa kur erdhi në pushtet, ndonëse harroi fjalët e dikurshme, Kurti nuk ka arritur të krijonte një marrëdhënie as për së afërmi të mirë si ajo mes Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës dhe Erdoganit, të cilit e quanin njëri-tjetrin vëlla. Madje, ai e refuzoi edhe gatishmërinë e Erdoganit për të ndërmjetësuar mes Kosovës dhe Serbisë.
Por më 3 shkurt, z. Kurti do ta takojë z. Erdoganin, diku në Stamboll, afër Bosforit, e që do të jetë takimi i rrallë mes këtyre dy liderëve. Pas një ftohje të raporteve, tash Kurti do t’i shkojë në konak z. Erdoganit, saktësisht në orën 17:30 sipas kohës lokale.
“Gjatë takimit pritet po ashtu të shkëmbehen mendime për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan.” – shkruante gazeta turke.
Në fakt, Kurti vite më parë nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Erdoganin. Gjatë një fjalimi në Kuvend, z. Kurti e kishte quajtur autoritar Erdoganin, duke e krahasuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Madje, Kurti e kishte përmendur edhe punën e trajtimit të kurdëve, një temë delikate në Turqi.
“Besojë se sjellja e tij ndaj kurdëve, pa takt, në njërën anë dhe këto pasojat tash të këtij puçit të dështuar me arrestime, përjashtime shumëshifrore gjithnjë e më shumë po e etabolojnë në atë pozitë (autokratit).” – vlerësonte Kurti.
Ndërsa, ai kishte komentuar edhe deklaratat për “vëllazërinë” e popujve shqiptar e turk, epitete që i përdoret Thaçi, por edhe kryeministri Edi Rama.
E mos ardhjen e Erdoganit në Kosovë, Kurti theksonte se vizita e presidentit të Turqisë lidhet më shumë me Bosnjën.
“Përshtypja ime është që kjo vizitë ka pasur të bëjë më shumë me Bosnjën, sepse e konsiderojnë si një vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Sepse Serbia dhe Kroacia kanë ndikime të fuqishme në Bosnjë dhe vizita në Ballkan kësaj radhe e presidentit turk lidhet me Bosnjën.” – shtoi Kurti.