Vitia: Do të doja rrogë edhe më të larta për mjekët

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se koeficienti i ri më së miri ka adresuar dhe rritur nivelin e rrogave te personeli shëndetësor, ndonëse ka shtuar se si mjek dhe i pari i këtij dikasteri do të donte paga edhe më të larta.

Në konferencën për media pas vizitës në Ferizaj, Vitia tha po ashtu se krahas koeficientit të ri do të ketë edhe shtesa për personelin shëndetësor që punon vetëm në sektorin publik, si dhe shtesa të tjera si ajo e rrezikshmërisë në vendin e punës.

Ai ka lënë të nënkuptohet se për të gjitha këto do të diskutojnë me Federatën Sindikaliste të Shëndetësisë, për të cilën tha se nuk është e interesuar për greva.

“Koeficienti i ri më së miri e ka adresuar dhe ka rritur nivelin e rrogave të personeli shëndetësor. Nëse më pyesni mua si mjek dhe ministër i Shëndetësisë, kisha dashur të ishin akoma më të larta. Mirëpo kjo kategori ka përfituar pagat më të larta nga ky koeficient. Në anën tjetër, jemi të përkushtuar që përveç përmirësimit të kushteve, që janë edhe në aspektin infrastrukturor por edhe në mjetet e reja të punës, që të kemi temë bisedimi edhe incentiva tjera për krijimin e kushteve më të mira për punëtorët shëndetësorë. Është në tavolinë dhe tani shumë shpejt do të procedojmë. Për personelin shëndetësor, të cilët zgjedhin të punojnë vetëm në sektorin publik, do të ketë shtesa. Natyrisht, do të ketë edhe shtesa të tjera që kanë të bëjnë me rrezikshmërinë në vendin e punës dhe tjera, të cilat ne do t’i diskutojmë në mënyrën më të sinqertë me Federatën Sindikale të Shëndetësisë, me të cilën nga takimi që kam pasur, nuk janë fare të interesuar të hyjnë në grevë”, tha Vitia.

Ai po ashtu tregoi se si po ndihet pas rikthimit në postin e ministrit të Shëndetësisë për të tretën herë.

“Unë jam për të tretën herë, është e vërtetë që shumë po më thonë ‘veteran’. Herën e parë kam qenë katër muaj, prej të cilëve 2.5 në detyrë, ku bashkë me kryetarin Aliu dhe kryetarët e komunave tjera mendoj se kemi bërë punë të mirë, ka qenë mandati i dytë ku kam qenë 6 muaj ku ka qenë procesi i vaksinave, një që është e vetmja e mirë që është që është përmendur në Raportin e Progresit në shëndetësi dhe tani është hera e tretë që tani është 1 muaj. Do të thotë 11 muaj në total unë kam qenë në zyrën e ministrit të Shëndetësisë, natyrisht me përgjegjësinë mbi supe dhe i vetëdijshëm për problemet që na presin”, tha ministri Vitia.

I pari i Shëndetësisë nuk komentoi arsyen e dorëheqjes së ish-ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Raçit, derisa tregoi se kur pritet të hapet konkursi për drejtor të ri.

“Ajo çka kam lexuar nga dorëheqja e ish-ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, Pranvera Raçi nuk koincidon me atë që thoni ju… Unë e kam falënderuar personalisht për kontributin dhe dinamikën që i ka shtuar ShSKUK-së… Ka qenë një dorëheqje, edhe pse kemi pasur një takim, të cilën e kam pranuar. Jemi në fazat finale, statuti i ShSKUK-së është në fazat finale teknike për të ecur tutje, me organogram të ri… Menjëherë pas nënshkrimit të këtij statuti do të ketë konkurs për drejtor të ShSKUK-së”, tha Vitia.

Me rastin e vizitës së tij në Ferizaj, i pari i shëndetësisë tha se janë duke u angazhuar intensivisht për ndërtimin e spitalit regjional dhe QKMF-së në këtë komunë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *