SHBA i bën thirrje Rusisë që të lejojë inspektimet bërthamore

Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia po shkel Traktatin e Ri START, traktati i fundit për armët bërthamore midis dy vendeve. Në gusht, Rusia pezulloi inspektimet e objekteve të saj bërthamore siç parashikohet në traktat.

Organizata “Buletini i Shkencëtarëve Atomikë” lëvizi javën e kaluar akrepat e orës së tij simbolike për të treguar se sa afër vetë-shkatërrimit është njerëzimi. Organizata përmendi agresionin rus në Ukrainë, tensionet bërthamore dhe ndryshimet klimatike, si arsyet kryesore.

Departamenti i Shtetit thotë se Rusia po shkel Traktatin e ri START, i cili kufizon numrin e mbushjeve strategjike bërthamore që mund të dislokojnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusia përmes raketave tokësore, detare dhe bombarduesve për lëshimin e tyre.

Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia nuk po lejon inspektimin e objekteve të saj, siç e kërkon traktati. Por zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, thotë se Rusia mund të rikthehet lehtësisht tek zbatimi i marrëveshjes.

“Ekziston një rrugë e qartë për kthimin (tek marrëveshja). Ajo që Rusia duhet të bëjë është që të lejojë inspektimet në territorin e saj, ashtu siç veproi për vite me radhë sipas traktatit të Ri START dhe të marrë pjesë në takimin e komisionit konsultativ dypalësh. Asgjë nuk i pengon inspektorët rusë që të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të zhvillojnë inspektimet”.

Zyrtarët rusë i kanë fajësuar Shtetet e Bashkuara, duke theksuar mbështetjen e Uashingtonit për Kievin, ndërsa Ukraina përballet me agresionin rus. Në gusht, Kremlini pezulloi inspektimet amerikane të objekteve bërthamore ruse. Por nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se
Rusia ende dëshiron të jetë pjesë e traktatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *