Kur operativët amerikanë dhe ata izraelitë nisën sulmin kibernetik nëpërmjet virusit Stuxnet kundër programit bërthamor të Iranit më shumë se një dekadë më parë, ata bënë në fakt një autogol. Pa asnjë të shtënë dhe pa sakrifikuar asnjë jetë njeriut, agjentët, inxhinierët dhe hakerat i thanë vetes se ishin në gjendje që të dëmtonin rëndë aftësinë e Iranit për të prodhuar uranium të pasuruar, duke e ngadalësuar programin e tij bërthamor.
Por ky përfundim rezultoi të ishte shumë i gabuar, pasi Irani i përdori shumë shpejt njohuritë e tij për të vazhduar me një kapacitet edhe më të madh zgjerimin e programit të tij bërthamor. Por edhe në atë kohë, në industrinë ende të sapolindur të sigurisë kibernetike kishte ankesa shumë shqetësuese se Stuxnet apo diçka e ngjashme me të, që ishte në zhvillim për vite me radhë, mund të projektohej në mënyrën e kundërt ose të imitohej dhe të përdorej nga objektivat e saj fillestarë. Në fakt, ajo çka do të pasonte do të ishte edhe më e rrezikshme. Sulmi me Stuxnet, paralajmëroi një epokë të re të luftës kibernetike globale, dhe janë njerëzit e zakonshëm ata që po vuajnë pasojat e kësaj lufte.
Kujtojmë se përpara Stuxnet-it, sulmet kibernetike shiheshin më së shumti si shqetësime ose sjellje kriminale, të përdorura për spiunazh midis korporatave apo qeverisë. Industria globale e sigurisë kibernetike vlente vetëm disa miliardë dollarë. Por në 5 vitet e ardhshme, kjo industri pritet të ketë një vlerë prej më shumë se 210 miliardë dollarë. Lufta kibernetike, është shndërruar sot në një strategji të së sigurisë kombëtare të shumë kombeve, një mjet thelbësor i spiunazhit, kundërzbulimit, sabotimit dhe grabitjes. Çdo vend është duke u përpjekur për të përmirësuar mbrojtjen e vet kibernetike, si dhe aftësitë sulmuese. Ekspertët thonë se Rusia dhe Kina, zotërojnë aktualisht aftësi të jashtëzakonshme në luftën kibernetike. Por janë vendet e izoluara diplomatikisht, si Irani dhe veçanërisht Koreja e Veriut, ato që përbëjnë shqetësimin më të madh, pasi kanë shumë pak për të humbur dhe po aq shumë për të fituar duke i përdorur këto lloj armësh.