Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate dërguar medieve është deklaruar për takimin e sotëm të ftuar nga ambasada amerikane për çështjen e Asociacionit.
Në komunikatën dërguar medieve, thuhet se PDK vlerëson lartë angazhimin e ShBA-ve në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi.
Komunikata e plotë e PDK-së:
Partia Demokratike e Kosovës sot i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për takim të përbashkët me përfaqësues të Qeverisë, partive politike dhe shoqërisë civile.
PDK vlerëson lartë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi.
Qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente.
Rrjedhmisht, PDK në vazhdimësi i ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër.
Partia Demokratike e Kosovës do të jap gjithmonë kontributin e saj aktiv kur në pyetje është interesi i shtetit dhe i qytetarëve të Kosovës.