Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë avionë luftarakë F-16 në Ukrainë, edhe pse presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca nuk e përjashton dërgimin e tyre nëse plotësohen disa kushte.
Biden u përgjigj “jo” në pyetjen e gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë nëse ai ishte në favor të dërgimit të tyre.
Macron u pyet më 30 janar në një konferencë të përbashkët shtypi në Hagë me kryeministrin holandez, Mark Rutte, nëse Franca po shqyrtonte dërgimin e avionëve luftarakë. “Asgjë nuk është e përjashtuar, por disa kushte duhet të plotësohen së pari”, tha ai, pa dhënë më shumë detaje.
Ukraina do të duhet të kërkojë zyrtarisht avionët, tha Macron, i cili pritet të takohet me ministrin ukrainas të Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, në Paris më 31 janar.
Rutte tha se Ukraina nuk kishte kërkuar zyrtarisht avionë luftarakë F-16 nga Holanda dhe aktualisht “nuk flitet për dërgimin e F-16 në Ukrainë. Nuk ka asnjë kërkesë”.
Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra, u tha ligjvënësve në fillim të këtij muaji se nuk kishte “asnjë tabu” për dërgimin e avionëve luftarakë.
Ndërkohë në Berlin, ambasadori ukrainas në Gjermani tha se Kievi nuk i kishte kërkuar ende Gjermanisë t’i furnizonte me avionë luftarakë, por vuri në dukje se sa të rëndësishëm do të ishin ata.
Avionët luftarakë janë pjesë e përpjekjeve të Ukrainës për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore dhe për t’u mbrojtur kundër raketave të lëshuara në qytetet dhe infrastrukturën e Ukrainës, tha Oleksiy Makeyev për transmetuesin Deutsche Welle.
Komentet e tij erdhën pasi kancelari gjerman, Olaf Scholz, përsëriti më 29 janar se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë.