‘Bizneset nën drithërima’ – pas tatimit në pronë, pritet edhe shtrenjtimi i qirasë e patundshmërive

Rritja e faturës së tatimit në pronë po vazhdon të jetë ndër temat kryesore dhe më shqetësuese për qytetarët dhe xhepin e tyre. Dyfshimi e trefishimi i këtyre faturave, ka mundësi të ndikojë edhe në rritje e qirave. Kështu të paktën paralajmërojnë ekspertët e patundshmërive.

Rivlerësimi i pronave nga Ministria e Financave ka rritur jashtëzakonisht shumë faturën e tatimit në pronë, në komunat e vendit.

Sipas Ligjit, vlerësimi i pronave bëhet çdo 3 deri në 5 vjet. Vlerësimi i fundit ishte bërë më vitin 2019 dhe tashmë i fundit në vitin 2022.

Megjithatë, rritja e tatimit në pronë mund të sjellë edhe rritje të çmimit të qirave dhe patundshmërive.

Milot Mehmeti nga kompania Pro Real Estate, për Nacionalen ka thënë se çmimi i qirave tashmë është në limitin e çmimeve kur merret parasysh të hyrat financiare të ekonomive familjare në Kosovë, duke nënkuptuar se nuk mund të ketë ndonjë rritje.

Sipas Mehmetit, më vështirë do të jetë për bizneset nëse rriten çmimet e qirave.

Çmimi i qirave është në limit të asaj që mundet me u pagu nga klienti, duke i marrë parasysh të hyrat financiare. Për bizneset do të jetë shumë vështirë të paguajnë më shtrenjtë sepse Kosova është treg i vogël dhe do të jetë e pamundur të gjenerohen të hyra nëse qirate ngriten.” – ka thënë ai për Nacionalen.

Shpresojmë që mos të ndodh sepse do të hyjmë në një recesion ku do të ketë shumë pak qiradhënie/qiramarrje.” – ka thënë ai ndër të tjera.

Më tej, ai theksoi se që nga viti 2020 çmimet e patundshmërive janë rritur për 22 për qind me një mesatare vjetore prej 7.4 për qind.

Gjithashtu për shkak të inflacioni çmimet e qirave janë rritur në 25 për qind më shumë se vitet e kaluara dhe mund të ketë përsëri rritje për shkak të rritjes së tatimit në pronë.

100 euro

Në anë tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka propozuar faljen e 100 eurove për të gjithë taskapaguesit.

“Me qëllim të lehtësimit të barrës së qytetarëve, dhashë propozimin konkret që të gjithë tatimpaguesve t’u falen deri në 100 euro nga vlera e tatimit në pronë për këtë vit. Kjo do të mundësohej në kuadër të një ligji të ri të cilin do ta procedojme shumë shpejt në Kuvend për miratim.” – ka shkruar të premtën me 27 janar ministri në Facebook.

E propozimi i tij nuk u prit mirë nga partitë opozitare.

Koordinatori i Departamentit për Financa i Qeverisë nën hije i PDK-së, Arben Mustafa, ka thënë se Qeveria Kurti gjithmonë sillet rreth shumës 100 euro.

Krejt politika ekonomike e kësaj qeverie sillet rreth shumës 100 euro! Asgjë më tepër!” – ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kërkuar që Ministria e Financave ta pezullojë vendimin për vlerësimin e fundit teksa deputeti i kësaj partie, Avdullah Hoti ka thënë “qytetarët është dashur që të informohen më herët.”

LDK kërkon nga MF-ja që me vendim të veçantë të pezulloj aplikimin e vlerësimit të fundit të patundshmërive dhe faturat e vitit 2023 të llogaritën sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022. Gjithashtu Ministria e Financave të procedojë sa më parë ligjin e ri për tatim në pronë, ligj që është i gatshëm në Ministrinë e Financave, me ligj të ri mund të adresohen të gjitha nenet që sot janë pengesë për të reflektuat gjëndjen socio ekonomike, mund të ulet pragu i tanishëm.” – ka thënë Bajrami në një konferencë për media.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria duhet t’i ndalë eksperimentet.

Një ekonomie normale, qeverisë i lejohet t’i përdorë taksat si instrument, rritjen e tyre, në këto raste: a) ka zhvillim ekonomik; b) kur ka rritje të nivelit të punësimit dhe të ardhurave; c) kur ka bilanc pozitiv tregtar të shoqëruar me investime dhe prodhmtari, thjeshtë kur trendet sinjalizojnë zhvillim. Kur këto i mungojnë një qeverisje, rritja e taksave është instrument i përhapjes dhe përshkallëzimit të varfërisë. Një ekonomi e vogël nuk e ka luksin e vendosjes së taksave të larta, sepse nuk ofron kurrfarë atraksioni dhe konkurrushmërie me askënd. Ndalni eksperimentet!” – ka shkruar Tahiri në Facebook.

E për rritjen e tatimit në pronë është paralajmëruar një protestë qytetare.

Mbetet të shihet nëse Qeveria Kurti konkretisht Ministria e Financave do të pezullojë vendimin për rivlerësimin e pronave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *