Detaje të reja rreth plagosjes së dy grave në Fushë Kosovë

Ndonëse ende nuk dihen shkaqet e plagosjes së dy grave në Fushë Kosovë, siç është raportuar gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, i dyshuari dyshohet se ka qëlluar veten dhe i njëjti ka vdekur.

Derisa policia kishte urdhëruar të dyshuarin të dorëzohet, i njëjti sipas Inspektoratit policor të Kosovës, dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të zyrtarëve policorë.

Në një përgjigje për RTV Dukagjini nga IPK-ja, thuhet se bazuar në disa veprime hetimore deri më tani nuk ka dyshime për ndonjë veprim të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policorë.

“Dje në orët e mbrëmjes  hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia e Kosovës  për rastin në fjalë në rrugën “Besa- Besë” në Fushë Kosovë. Në këtë rast është raportuar se dy viktimat femra kosovare për shkaqe ende të panjohura janë qëlluar dhe plagosur me armë zjarri nga i dyshuari mashkull kosovar i cili gjendej në arrati”.

“Policia më vonë kishte pranuar informata për vendndodhjen e të dyshuarit ku zyrtarët policorë e kanë urdhëruar të dyshuarin që të dorëzohet, mirëpo i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të zyrtarëve policorë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë i dyshuari dyshohet se ka qëlluar veten dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, thuhet në përgjigje.

Sidoqoftë, hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore në koordinim me prokurorin kompetent për të ndriçuar të gjitha rrethanat lidhur me rastin, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

“Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së janë dalë në vendin e ngjarjes ku në koordinim me ekipet tjera reaguese policore dhe prokurorin janë ndërmarrë disa veprime hetimore dhe bazuar në këto veprime hetimore deri më tani nuk ka dyshime për ndonjë veprim të kundërligjshëm nga ana e zyrtarëve policorë”, vijon përgjigja.

Nga ngjarja e së shtunës së 28 janarit, dy të lënduarat, nënë e bijë, po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinikën Universitare të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *