Mediat ndërkombëtare kanë pohuar njëzëri që prej verës së kaluar se këngëtarja shqiptare Rita Ora dhe partneri i saj, Taila Waititi kanë zyrtarizuar lidhjen e tyre në martesë, madje realizuan edhe një dasmë të vogël familjare, megjithatë asnjëri prej artistëve nuk e kishte konfirmuar publikisht këtë, deri tani.
Ora, më në fund e ka pranuar se është martuar me Waititi-n ditën e sotme, duke e përshkruar dasmën e tyre si ‘perfekte’ dhe ‘ të veçantë’. 32-vjeçarja, në një intervistë për “Heart Radio Breakfast”, teksa promovonte këngën e saj më të fundit “You Only Love Me”, ndër të tjera foli edhe për statusin e saj, duke u shprehur:
“Po (jam e martuar). Unë jam zyrtarisht jashtë tregut. Zgjodha ta mbaja më private dhe ta mbaja më shumë për vete”. “Ishte perfekte. Ishte pikërisht ashtu siç doja unë. Ishte bukur dhe perfekte. Është mirë t’i mbaj disa gjëra vetëm për vete, ndonjëherë ishte e këndshme dhe e ëmbël… Më falni që nuk është aq interesante. Një ditë do të bëj një festë të madhe’.
Nga ana tjetër ajo ka folur edhe për ndryshimin e mundshëm të mbiemrit, duke thënë:
“Patjetër që kam menduar të marr mbiemrin e tij, por kam punuar shumë për këtë mbiemër Ora. Nuk e di… Nuk kam vendosur ende”