Hoti: Shqiptarët duhet të ndihen krenar për mbrojtjen e hebrenjve

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në ditën ndërkombëtare ka përkujtuar Holokaustin, i cili ka treguar se me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përkujtohet përvjetori i çlirimit të kampit famëkeq të Aushvic-Birkenau në Poloni dhe nderohen 6,000,000 viktima hebreje të Holokaustit dhe miliona viktima të tjera të nazizmit.

Ai tha se kjo ditë duhet të trokasë në ndërgjegjen njerëzore dhe se kjo është dita që na përkujton për nevojën që kemi për vetëdijesim kundër gjenocidit.

“Kjo ditë duhet të trokasë në ndërgjegjen njerëzore. Kjo është dita që na përkujton për nevojën që kemi për vetëdijesim kundër gjenocidit, si dhe kundër atyre që mohojnë Holokaustin. “KURRË MË” është motoja e përbashkët e gjithë njerëzimit për të parandaluar ngjarje të tilla”, tha Hoti.

Gjithashtu ai shtoi se në nëntor të 2022, në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael në Kuvendin e Kosovë ka vizituar kampin Aushvic-Bireknau në Poloni.

“Në nëntor të vitit kaluar, në cilësinë e Kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael në Kuvendin e Kosovës, isha pjesë e delegacionit të lartë në vizitë në kampin Aushvic-Birkenau në Poloni për të vizituar dhomat e gazit dhe vendet ku janë maltretuar në mënyrat më çnjerëzore dhe janë ekzekutuar burra e gra, fëmijë e të moshuar”, tha Avdullah Hoti.

Ai tha se shqiptarët kanë ndihmuar në shpëtimin e 3 mijë hebrenjve.

“Populli shqiptar duhet të ndihet krenar me historinë e vetë në mbrojtje të hebrenjve. Dokumentet tregojnë se numri i hebrenjve në Shqipëri në fund të Luftës së Dytë Botërore ka qenë më i madh se në fillim të luftës. Janë rreth 3000 hebrenj që janë shpëtuar gjatë luftës. Ky gjest ka qenë një veprim i natyrshëm i popullit shqiptar. Në këtë histori të jashtëzakonshme të shpëtimit të hebrenjve në trojet shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore del në pah dimensioni human i koncepti të “Besës” tek shqiptarët, si dhe i thënies se “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, shtoi Hoti.

“Sot, shqiptarët kanë marrëdhënie të shkëlqyer me popullin izraelit. Sot, Republika e Kosovës ka marrëdhënie të shkëlqyera me Shtetin e Izraelit, i cili e njohur Kosovën si shtet të pavarur. Çdo ditë po thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve në frymën e miqësisë dhe respektit historik mes popullit shqiptar dhe popullit hebre”, përfundoi Hoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *