Natën e 8 janarit një person me nënshtetësi maqedonase mbeti i plagosur në Prishtinë. I dyshuari për plagosjen e 37 vjeçarit Burim Ajeti nga Maqedonia e Veriut, Egzon Abazi është ende në kërkim nga Policia.
Ngjarja kishte ndodhur në lokalin “Exit Large Bar” në lagjen “Emshir”.
Derisa, Policia e Kosovës arrestoi sot njërin nga të dyshuarit për plagosjen e 37 vjeçarit me nënshtetësi maqedonase në Prishtinë. Insajderi ka mësuar se Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin Burim Qadrakun. Ndërkohë Egzon Abazi i dyshuari tjetër, ende është në kërkim nga policia.
Kush është “Tigri” nga Prishtina?
Egzon Abazi, i cili njihet me nofkën Egzon Tigri dhe është një prej protagonistëve të narkotrafikut në Kosovë. Ai ishte arrestuar në qershor të vitit 2021 nga Policia e Kosovës. Ishte kapur me 2.5 kilogram kokainë.
Në qershorin e vitit 2021, Policia e Kosovës e kishte arrestuar Egzon Abazin, ose siç njihet ndryshe Egzon Tigrin, për rastin kishte folur vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Por, Abazi ose Tigri ndonëse ishte arrestuar për kontrabandë me narkotikët, ai ishte liruar më pas.
Edhe pas më shumë se një viti nga arrestimi i tij, ende nuk dihen saktësisht arsyet e lirimit të Egzon Abazit.