Kurti: Asociacioni nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese

Derisa përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaroi se me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij Besnik Bislimi janë dakorduar për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara më parë, kryeministri Kurti së fundmi deklaroi se marrëveshja e Asociacionit të komunave serbe është e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ka insistim nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar më datën 19 prill 2013, e më pastaj edhe i elaboruar në shtatë kapituj, me nënshkrimin e 25 gushtit 2015, të theksohet më shumë. Por, ajo marrëveshje është tashmë e theksuar, sepse është e vetmja marrëveshje nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar tekstin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, në një mënyrë, mund të themi që ajo marrëveshje njëmend është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti.

Ai ritheksoi që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierarkik.

Ndryshe, pas takimit të mbrëmshëm në Prishtinë, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Twitter shkroi se me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi janë pajtuar që “të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”.

“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe ZKM Besnik Bislimin për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut duhet të zbatohen plotësisht”, ka shkruar ai pas takimit me Kurtin dhe Bislimin.

Ndërkohë, kreu i ekzekutivit foli edhe për marrëveshjen finale me Serbinë, për çka përsëriti se duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *