Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë ilegale. E si pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz, duke shtënë në drejtim të personave tjera, apo duke plagosur veten aksidentalisht, raporton Gazeta Sinjali.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në afërsi të Liqenit të Badovcit, ku një person është vetplagosur.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 24-vjeçari është dërguar atje me lëndime në të dyja këmbët. Atij i është dhënë ndihma e parë mjekësore dhe menjëherë është futur në sallë të operacionit.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar me dëshmitarin e rastit i cili ndodhej në vendngjarje.
Bazuar në dëshminë e tij, derisa kishin qenë duke shëtitur në malet rreth liqenit të Badovcit, ka dëgjuar dy të shtëna të armës dhe më pas kanë dëgjuar viktimën teksa bënte thirrje për ndihmë.
Njësitë policore kanë konfiskuar armën gjysmëautomatike që dyshohet se është përdorur në rast, teksa pritet këndellja e viktimës për të marrë dëshminë e tij lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.