Kanë qenë të shpeshta kohëve të fundit dhe tashmë thuajse janë bërë të përditshme. Kërkesat e amerikanëve për krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, sa vijnë e shtohen.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka ripërsëritur faktin se Kosova duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj, duke përmendur këtu eksplicit themelimin e Asociacionit.
“Ne kërkojmë nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut duke përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, u shpreh ai.
Ndërkohë, edhe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se ka biseduar me Kurtin për këtë çështje të martën.
“Një temë kyçe ka qenë partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet në Twitter.
Ai tha se me Kurtin ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.