Bullgaria nuk heq dorë nga kërcënimet ndaj Maqedonisë së Veriut për veto të re në integrimin e saj në BE. Sipas zyrtareve bullgarë, bllokimi i rrugës së Maqedonisë së Veriut në BE vjen për shkak të diskriminimit ndaj pakicës bullgare në këtë vend.
Deklaratat e zyrtarëve bullgarë, vijnë në kohën kur tensionet në Shkup janë rritur. Më 4 shkurt në Maqedoninë e veriut, për festimin e ditëlindjes së revolucionarit maqedono-bullgar Goce Dellçev, pritet të vijnë numër i madh bullgarësh që do të kryejnë homazhe. Në këtë aktivitete, pritet të ketë dhe grupe radikale.
“Prioriteti më i lartë i kësaj Qeverie është që të ruajë qetësinë dhe stabilitetin e shtetit. Por e dimë se gjithnjë do të ketë struktura radikale, të cilat për interesa të ndryshme dëshirojnë të destabilizojnë vendin. Por kurrë nuk lejojmë që të cenohet siguria e qytetarëve tanë”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Ministri i Jashtëm Bujar Osmani vlerëson se shpallja e personave që shfaqin pretendime territoriale dhe mohim të maqedonasve, si të padëshirueshëm për shtetin, do të ndalte rrethin e kërcënimeve dhe ofendimeve.
“Duhet vendosur një princip me të cilin kush ofendon në territor të Maqedonisë së Veriut, apo do të kontestojë ekzistencën e popullit maqedonas, apo do të shfaqë pretendime territoriale, që të njëjtën ditë duhet ti ndalohet hyrja e mëtejme në shtet. Ky princip duhet të jetë bazë për politikën tonë lidhur me këtë problem. Këtë duhet ta dinë të gjithë, pasi nëse e dinë do të jenë më të kujdesshëm dhe do ta ndërpresim këtë cikël”, u shpreh Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i RMV-së.
Eurodeputeti Angel Xhambazski ishte ai që shkaktoi më së shumti tensione në RMV për shkak të deklaratave të tij se Maqedonia është Bullgari, dhe se është një shpikje e liderit të ish-Jugosllavisë – Tito. Por provokuese ishin edhe deklaratat e deputetit bullgar Kostadin Kostadinov, i cili nga Shkupi deklaroi se Maqedonia e Veriut duhet ti aneksohet Bullgarisë sepse bëhet fjalë për një popull. Të tilla deklarata kanë bërë edhe disa zyrtarë bullgarë të cilët mohojnë gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski apeloi për qetësi nga të dyja palët ndërsa kujtoi se nuk do të ketë tolerancë për ata që shfaqin pretendime territorial për shtetin e tij. Bëri thirrje edhe që policia ti shfrytëzojë të gjitha mekanizmat për mbarëvajtjen e 4 shkurtit.