Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, në fjalën e tij para Këshillit të Evropës, ka folur për raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Tahiri ka thënë se Kosova nuk dot ta lejojë regjimin e Serbisë që përmes Rusisë dhe grupit Wagner ta sulmojnë Kosovën.
“Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës Bashkimit Evropian dhe të gjithë ata që ishin përkrahës. Ne e dinim se çfarë do të thotë të ishe pakicë, nuk kemi frikë nga serbët e Kosovës, por nuk do të lejojmë kurrë që regjimi serb, përmes Rusisë, përmes trupave të Vagnerit, të sulmojë vendin tonë. Ne i përkasim Evropës, ne jemi evropianë dhe do të jemi gjithmonë me ju”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe partitë opozitare e mbështesin plotësisht procesin e dialogut dhe janë pro një marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme që do t’i normalizonte marrëdhëniet me Serbinë.
“Qeveria e Kosovës, përfshi edhe partitë opozitare, dhe unë jam nga një parti opozitare, e mbështesim plotësisht procesin e dialogut, e mbështesim plotësisht normalizimin dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare e cila do të jetë ligjërisht e detyrueshme që do t’u mundësojë Kosovës dhe Serbisë të arrijnë Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Tutje Tahiri, ka folur edhe për aksionet e Policisë së Kosovës në veri për ta shtrirë sovranitetin.
Tahiri ka thënë se barrikadat atje janë vendosur nga Serbia dhe se ka pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj Eulexit.