Qeveria deklarohet se nuk kanë pranuar kërkesë nga Lajçak për takim me Kurtin

Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se nuk është pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga ana e Lajçak për takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Të mërkurën, REL ka raportuar se pritet që mbrëmjen e kësaj dite, e i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak të qëndronte në Prishtinë e cila nga  diplomatët shihej si vazhdim për bisedimet për planin e BE-së. Por nga Qeveria kanë thënë se asnjë kërkesë për takim me Kurtin nuk është bërë ngaana e Lajçak.

“Për agjendën e z. Lajçak, ju lutemi që t’i drejtoheni ekipit të tij. Për takimet e Kryeministrit Kurti me z. Lajçak njoftoheni gjithmonë paraprakisht. Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga z. Lajçak për takim me kryeministrin Kurti”, ka deklaruar  Kryeziu për RTV Dukagjini.

Ndërkaq, ditë më parë, përkatësisht me 20 janar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë.

Lajçak pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga emisarët e tjerë ndërkombëtarë ka thënë se është diskutuar për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, por që është shumë herët të bëjë ndonjë deklaratë dramatike, sepse kjo çështje do të vazhdojë të diskutohet edhe më tutje në Beograd me palën tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *