Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka postuar sot një njoftim ku tregon për të gjitha vendimet që janë marrë në mbledhjen e 121 të Qeverisë së Kosovës.
Ai përmes këtij postimi ka thënë se sot kanë aprovuar Programin Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023, me 100 projektligje.
Ai tutje ka thënë se për të ruajtur diversitetin e për të garantuar të drejtën e lirisë së fesë, kanë miratuar Projektligjin për Lirinë Fetare.
Poashtu kanë bërë ndarjen e shtesës prej 60 euro për muajin janar për stafin shëndetësor për zbatimin e masës 4.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike , tutje ai ka thënë se sot kanë miratuar ndarjen e shtesës prej 50 euro për muajin janar për sektorin publik.
“Në qëllim të ngritjes së kapaciteteve energjetike, për organizimin e ankandit për panelet solare nga Ministria e Ekonomisë, miratuam bartjen e së drejtës së shfrytëzuesit në parcelat kadastrale në Komunën e Rahovecit. Për ndërtimin e Parkut me Panele Solare për prodhim të energjisë elektrike me kapacitet prej 100 MW,, miratuam kërkesën për shpronësim të pronave në Kryshevc të Obiliqit dhe në Fushë Kosovë”, ka shkruar Kurti.
Kurti, tutje ka thënë se kanë miratuar vendimin për masat emergjente në furnizim me energji.
“Me synim përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e efikasitetit në prodhimtarinë primare bujqësore, miratuam Projektligjin për Verërat. Miratuam Projektligjin për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar. Emëruam anëtarët e Këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve. Për të ri-afirmuar pavarësinë institucionale dhe juridike të Akademisë së Drejtësisë, miratuam Koncept-dokumentin për Akademinë e Drejtësisë”, ka shkruar ndër të tjera ai.