Dje, në disa komuna në Kosovë gjendja ka qënë e vështirësuar si pasojë e reshjeve të dendura atmosferike.
Edhe në Komunën e Mitrovicë, ka pasur bllokim të rrugëve, shëmbje të dheut si dhe shtëpi të përmbytura.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se sot situtata është stabile pasi ka rënë niveli i ujit edhe në Ibër edhe në Lushtë.
Ai ka thënë se fatmirësisht nuk ka pasur humbje të njerëzve, ndonëse dëmët ishin të mëdha.
“Sot situata është më stabile dhe niveli i ujit ka rënë edhe në Ibër dhe në Lushtë. Reshjet po vazhdojnë, por situata mund të përkeqësohet prapë, mirëpo pasojat janë bukur të mëdha dhe është fat i madh që s’ka humbje në jetë njerëzish, ndërsa dëmet materiale janë jashtëzakonisht të kushtueshme dhe të mëdha. njerëzve ju ka depertu uji nëpër shtëpi dhe ju ka marr krejt çka kanë pas”, ka thënë Hamza.
Kryetari Hamza ka thënë se qindra familje janë detyruar të kalojnë natën tek të afërmit e tyre.
Siç ka thënë ai, sot do të evidentojnë gjendjen e çdo familje se ku është vendosur dhe se a kanë nevojë për qera.
“Dëmet janë jashtëzakonisht të lartë, po flasim për qindra familje që janë detyruar të kalojnë natën e tyre tek familjarët e tyre. Është si gjithmonë një solidaritet i njerëzve. Dhe sot do të shikojmë dhe do të evidentojmë çdo familje, gjendjen ku e ka, ku është e vendosur, a kanë nevojë për qera dhe sigurisht që të ju qëndrojmë afër. Kemi qenë në komunikim, tre ministra kanë qenë dje në Mitrovicë, ai i MAPL-së Elbert Krasniqi, ministri i MPB-së Xhelal Svecla dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj”, tha ndër të tjera kryetari Hamza.