Vedat Muriqi është shndërruar në aktorin kryesor për Mallorcan teksa në 15 ndeshje të La Liga-s, bomberi i Kosovës ia ka dalë të shënojë në tetë raste, po aq sa edhe Karim Benzema i Real Madrid.
Së fundmi, 28-vjeçari në një intervistë për kanalin zyrtar të La Liga-s rrëfen historinë e tij nga lufta në Kosovë, largimi për në Shqipëri ndërsa në fund thekson se Mallorca është zgjedhja më e mirë në jetë.
“Mbaj mend që prindërit më tregonin se para luftës, gjithçka ishte në rregull. Unë e mbaj mend atë që ndodhi në luftë dhe ishte e tmerrshme, një periudhë e errët.
E përsëris shpeshherë që asnjë qënie njerëzore nuk duhet ta përjetojë diçka të tillë, u detyruam të largoheshim nga shtëpitë tona. Shkuam në Shqipëri dhe për dy muaj qëndruam në një dhomë me 50 persona të tjerë.
Të gjithë ne që kemi përjetuar luftën, iu japim shumë vlerë gjërave të tjera në jetë.
Në disa raste kam dyshuar për kalimin tim te Mallorca, por në fund mendoj se është zgjedhja më e mirë që kam bërë në jetën time. Më kanë mirëpritur prej ditës së parë dhe kjo më dhuron shumë besim”, u shpreh Muriqi.