Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherit edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se Kosova tash nuk ka sovranitet e as ligjshmëri.
“Kosova në emër të sovranitetit nuk ka sovranitet, në emër të ligjshmërisë Kosova nuk ka patur kurrë më pak ligjshmëri se sot. Ka tre muaj që ne verinuk kemi polici të rregullt. Kemi qe 3 muaj që nuk kemi prokuror e as gjyqtar e as pushtet komunash. Por nuk kemi as zgjedhje të lira”, ka deklaruar Abdixhiku.
Abdixhiku i ka dy kërkesa ndaj pushtetit të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se duhet të shkarkohet ambasadori Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, sipas tij, është i përfshirë në shpërlaje parash.
Po ashtu, ai dëshiron që të ketë kërkim falje për deklaratën e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, në lidhje me politikanin serb Oliver Ivanoviq, në përvjetorin e pestë të vdekjes së tij.
“Teksa i shikojmë këto dy skandale që na përshfaqen nga ky pushtet dhe kjo qeveri. Unë kam një pytje ndaj qytetarëve: ‘A është ky ndryshimi që kemi pasur nevojë gjithë, që të amnistohen të korruptuarit, dhe të rehabilitohen kriminelët e luftës për më shumë pushtet?. Sot, në këtë kuvend, i kam dy kërkesa. Shkarkim të parin dhe mbajtje përgjegjës gjithsecilin të ndërlidhur me të. Kërkim falje për lartësimin e një krimineli të luftës nga kryeministri i Kosovës. Kosova meriton më mirë, Kosova mundet më shumë”, ka thënë Abdixhiku.