Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se ai nuk ka dyshim se një fitore ruse në Ukrainë është e pashmangshme. Ai e bëri këtë koment në një fjalim gjatë një vizite në një fabrikë të armëve në Shën Petersburg të enjten.
Udhëheqësi rus gjithashtu pretendoi se veprimet e Moskës në Ukrainë kanë për synim që të ndalin një luftë që është zhvilluar me vite në pjesën lindore të Ukrainës.
Duke marrë pjesë në një takim me veteranët në vendlindjen e tij, Putini tha se Rusia për një kohë të gjatë ka kërkuar që të negociojë një marrëveshje për konfliktin në rajonin Donbas të Ukrainës, ku separatistët e përkrahur nga Moska kanë luftuar kundër forcave ukrainase që nga viti 2014.
“Operacionet e gjera luftarake, që përfshijnë armë të rënda, artileri, tanke dhe aeroplanë, nuk janë ndalur në Donbas që nga viti 2014. E tëra që ne jemi duke bërë sot, si pjesë e operacionit special ushtarak, është një përpjekje për ta ndalur këtë luftë. Ky është kuptimi i operacionit tonë – mbrojtja e njerëzve që jetojnë në ato territore”- tha presidenti rus.
“Në aspektin e arritjes së rezultatit përfundimtar dhe të fitores që është e pashmangshme, janë disa gjëra… Janë uniteti dhe kohezioni i rusëve dhe i popullit shumëkombësh rus, guximi dhe heroizmi i luftëtarëve tanë… dhe, natyrisht, puna e kompleksit ushtarak industrial dhe fabrikave si e juaja dhe njerëzit si ju. Fitorja është e sigurt, nuk kam dyshim për këtë”- tha më tej Putini.
Duke e përshkruar pjesën lindore të Ukrainës si “territore historike” të Rusisë, ai shtoi se dërgimi i trupave në Ukrainë më 24 shkurt vitin e kaluar ishte i nevojshëm për t’i mbrojtur folësit e rusishtes dhe për t’i kryer “demilitarizimin” dhe “denazifikimin” e Ukrainës për ta parandaluar këtë shtet që të paraqesë rrezik për Rusinë.
Ukraina dhe Perëndimi i kanë cilësuar këto pretendime të Putinit për “denazifikimin” e vendit fqinj si pretekst për një luftë të zgjedhur e për agresion të paprovokuar.