Alegri rrezikon pas turpërimit nga Napoli, ja emrat që priten ta zëvendësojnë

Të gjithë në provë, Masimiliano Alegri gjith ashtu dhe ndoshta mbi gjithë të tjerët. Është ky sinjali i qartë që ka ardhur nga drejtuesit e klubit pas turpërimit që i shkaktoi Napoli. Mesa duket, 5 golat e pësuar zhvlerësojnë 8 fitoret radhazi pa pësuar gol nga ana e Juventusit, edhe pse në mes janë edhe një mal me miliona për t’u llogaritur me shumë kujdes.

Sipas llogarive të bëra nga “Gazzetta dello Sport”, burimi në fjalë konfirmon jo vetëm faktin që Xhon Elkan, presidenti i “Exor” që financon Juventusin, e ka marrë vetë në dorë çështjen e trajnerit dhe ndërkohë po mban në nxehje si Antonio Konten ashtu sikurse edhe Zinedin Zidanin, favorit duke qenë pa skuadër, por sipas shifrave shkarkimi i Alegrit dhe kontraktimi i një prej dy juventinëve në stol ka një faturë prej 60-90 milionë eurosh.

Për momentin, kamerdarja e Alegrit quhet vetëm zona Champions, ndonëse për një që fiton 7.5 milionë euro në sezon a mund të mjaftojë kjo?

Absolutisht jo, sepse pas një sezoni me “zero titulli”, siç do të thoshte Murinjo, një i dytë radhazi, do të ishte një katastrofë financiare për “Zonjën e Vjetër”.

Pastaj, së bashku me Alegrin janë në pikëpyetje edhe disa lojtarë që janë totalisht jashtë rendimenti, si Bremer që u pagua 50 milionë, Lokateli 30, apo akoma më shumë të tjerë si Rabio, Sandro, Di Maria, me të cilët nuk dihet se çfarë do të ndodhë nga vera e ardhshme, pasi janë në skadencë kontrate.

Shkurt, Juvja është në kolaps dhe shumë ndoshta nuk e meritojnë fanellën bardhezi. Prandaj, me të zyrtarizuar Këshillin Administrativ të ri të mërkurën mbrëma, ku do të prezantohen presidenti Ferrero dhe krerët e tjerë, këta duhet të ulën në tavolinë dhe të bëjnë kujdes me llogaritë e tyre dhe lëvizjet e kësaj vere, në të cilën duket i pashmangshëm një revolucion i radhës.

Këto, pa harruar se ndërkohë Juventusi është edhe nën hetim për falsifikim bilanci, i cili mund të shoqërohet me ndonjë penalizim në pikë nga ana e Federatës Italiane të Futbollit, i cili mund të paraprihet edhe nga ndonjë grusht i fortë i UEFA-s dhe Ceferinit. Shkurt, Juvja është një det me enigma…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *