Abdixhiku: Masakra e Reçakut, një ndër aktet më të rënda

Sot është 24-vjetori i masakrës së Reçakut, ku u vranë 45 civilë shqiptarë nga forcat serbe. Atje sot bënë homazhe krerë shteti e krerë të opozitës. Në mesin e tyre edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai tha se 15 janari i 1999-ës është një ndër “aktet më të rënda, më të dhimbshme e tronditëse të Serbisë në Kosovë”.

Abdixhiku shkruan se Masakra e Reçakut u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës.

“24 vjet nga Masakra e Reçakut, ditës kur 45 civil shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e të moshuar, u vranë e u masakruan nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë. Mëngjesi i hershëm i 15 janarit të vitit 1999, mban një ndër aktet më të rënda, më të dhimbshme dhe më tronditëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Aq tronditës ishte ky akt – krim kundër njerëzimit do ta quante ambasadori Ëalker atëherë – sa që i njëjti u bë pikë kthese e vëmendjes së botës demokratike ndaj Kosovës dhe angazhimit tonë për jetë të lirë. Sot, teksa po largohemi pothuajse një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”, ka shkruar Abdixhiku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *