Turqia shtyn votimin për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

Turqia nuk ka gjasa të votojë për pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO përpara zgjedhjeve kryesore të brendshme që pritet të mbajen në maj ose qershor të këtij viti, ka njoftuar Ibrahim Kalin, këshilltari kryesor i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Ne nuk jemi në nxitim këtu, ata janë në një nxitim për t’u bashkuar me NATO-n”, u tha Kalin gazetarëve.

“Duke pasur parasysh faktin se presidenti do të duhet ta dërgojë këtë projektligj në parlament për ta ratifikuar, ligjvënësit do të duhet të binden. Për të qenë i sinqertë me ju, ne nuk do të jemi në gjendje që kjo të kalojë ashtu nga parlamenti. Ne nuk i kemi numrat, opozita do të bëjë të gjitha llojet e pyetjeve dhe ne nuk mund të rrezikojmë kapitalin tonë politik teksa shkojmë në zgjedhje në tre apo katër muajt e ardhshëm”, shtoi ai.

Erdogan pritet të përballet me një koalicion prej gjashtë partish opozitare, duke kërkuar të të zgjatsë sundimin e tij në një dekadë të tretë, në zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen para muajit qershor.

Vetëm Turqia dhe Hungaria, dy vende që ruajtën lidhjet me Moskën që nga pushtimi rus i Ukrainës, kanë ngecur në votat parlamentare të nevojshme për të miratuar pranimin e Finlandës dhe Suedisë, megjithëse kryeministri hungarez, Viktor Orbán, tha në fund të vitit të kaluar se parlamenti i Hungarisë do të votonte në shkurt.

Samiti i ardhshëm i NATO-s pritet të zhvillohet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, në korrik, raporton Guardian.

Ankaraja ka qenë nën presion në rritje nga zyrtarët suedezë dhe finlandezë, si dhe nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, për të miratuar pranimin që kur të tre vendet nënshkruan një memorandum trepalësh gjatë një samiti të NATO-s në Madrid qershorin e kaluar. Dy vendet nordike ranë dakord të trajtojnë shqetësimet e sigurisë të ngritura nga Turqia, përkatësisht praninë e organizatave kurde në Suedi që Ankaraja pretendon se kanë lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Turqia, BE-ja dhe Uashingtoni e kanë cilësuar si grup terrorist.

Të dy vendet nordike hoqën kufizimet në eksportet e armëve në Ankara dhe Suedia ndryshoi kushtetutën e saj për të ashpërsuar ligjet vendase kundër terrorizmit.

Ndërkohë, Turqia ka kërkuar që Suedia të ekstradojë një listë të personave që pretendon se kanë lidhje me PKK-në ose me klerikun e ndaluar Fethullah Gylen, të cilin Ankaraja e akuzon si organizator të një përpjekjeje për grusht shtet në vitin 2016, duke përfshirë një gazetar, ekstradimi i të cilit u bllokua së fundmi nga një gjykatë suedeze.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *