Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka mohuar zërat se Kosova ka dështuar për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Përmes një njoftimi zyrtar, MPJ ka bërë të ditur se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është votuar kundër, shkruan Insajderi.
Sipas tyre, sekretariati i Këshillit të Evropës ka dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Kosovës, i cili konfirmon qartë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin.
Njoftimi i plotë:
Nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës
Duke qenë se procedura e anëtarësimit në Këshillin e Evropës është komplekse dhe për t’i sqaruar disa keqkuptime dhe keqinterpretime të bëra së fundi, e shohim të nëvojshme publikimin e kësaj komunikate.
Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar. Përkundrazi, që nga 12 maji i vitit 2022 janë bërë përparime të rëndësishme përgjatë procesit të anëtarësimit.
Në muajin shtator të vitit 2022, nga vet Sekretariati i Këshillit të Evropës është dhënë interpretim ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i cili konfirmon qartë se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Republikës së Kosovës si anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Nga lobimi i përbashkët me delegacionin e Parlamentit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për herë të parë në historinë tonë është siguruar e drejta e fjalës për delegacionin e Republikës së Kosovës dhe kjo e drejtë është shfrytëzuar përgjatë sesionit vjeshtor të Asamblesë Parlamentare.
Para dorëzimit të aplikimit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është koordinuar me të gjithë partnerët ndërkombëtar dhe përgjatë lobimit të pandërprerë ka siguruar mbështetjen të gjerë për ta kaluar fazën e parë të procesit të anëtarësimit. Kjo situatë ka rezultuar edhe në angazhim konkret të një numri të vendeve anëtare mbështetëse për t’i kaluar pengesat përgjatë këtij procesi të anëtarësimit. Këto fakte, përveçse nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, janë vërtetuar edhe nga vendet anëtare të Këshillit të Evropës.