Rrëfimi i Vedat Muriqit për Marcan: Kam punuar që nga mosha nëntëvjeçare, babai më vdiq në luftë

Ylli i Mallorca, Vedat Muriqi ka dhënë një intervistë të gjatë për Marcan, ku ka folur për vështirësitë në fëmijëri si dhe të ardhmen te klubi spanjoll.

Ai ka pranuar se ka punuar që nga mosha nëntëvjecare, duke treguar se babai i vdiq në luftë dhe vështirësitë për t’u bërë futbollist profesionist.

Përpos kësaj, Muriqi hodhi poshtë mundësinë e largimit nga Mallorca në afatin e janarit.

Më poshtë mund ta lexoni tërë intervistën e plotë:

Rikthimi në La Liga mesa duket ka ndikuar te Mallorca?

“Ishim skuadra e fundit që do të donim një pushim atë kohë. Shënuam 10 pikë në katër ndeshje të vështira dhe kishim shumë besim dhe dëshirë. Pas pushimit është më vështirë sepse të duhet të rifitosh besimin nga ndeshjet, si në nivelin fizik ashtu edhe në atë psiqik. Fitorja ndaj Valladolid na dha shumë besim. Shpresoj të nisim sikurse në fillimin para pushimit”.

Ka pasur shumë bisedime lidhur me lirimin tënd në janar. A është opsion që mund të largohet?

“Kurrë nuk e kam menduar. As në afatin e janarit, 100 për qind jo. Por është diçka që nuk është në duart e mia sepse ndonjëherë një skuadër mund të arrijë marrëveshjen me Mallorcan, ata mund të më thonë “do të shesim” dhe unë nuk mund të them asgjë. Kam kontratë për shumë vite dhe asnjëherë nuk doja të largohesha. Jam i lumtur këtu, familja ime gjithashtu dhe jam duke bërë mirë për këtë arsye nuk e mendoj largimin”.

Nëse varet nga ti, a do të pensionohesh te Mallorca?

“Po sepse personalisht më pëlqen moti. Jemi në janar dhe është diell. Familja ime është rehat, fëmijët po bëjnë mirë në shkollë. Ndonjëherë kur ke familje dhe fëmijë duhet të mendosh më shumë për ta se për vetën dhe këtë jam duke e bërë. Për mua gjithashtu, sepse po bëj mirë që nga Fenerbahce. Kur kalova te Lazio kisha një eksperiencë të keqe dhe nuk dua të dështoj sërish”.

Dyshja Muriqi – Kang kanë shënuar mbi 50 për qind të golave në skuadër dhe ka bisedime se ai mund të largohet në janar?

“Nuk e lejoj të shkojë (qesh). Kang do të jetë këtu me mua te Mallorca. Përgatitemi çdo ditë dhe shpresoj të vazhdoj kështu”.

E ke përmendur periudhën te Fenerbahce dhe Lazio. Në aspektin psiqik, si shkoi që nuk po luaje fare në Itali dhe tani je pjesë kyçe te Mallorca?

“Gjithmonë e kam thënë se kam mentalitet shumë të fortë. Kalova dy muaj te Lazio dhe ishte gjithçka keq në të gjitha aspektet dhe gruaja ime më ndihmoj shumë, ajo është gjithmonë pranë meje. Kur arrita këtu duke mos luajtur në Itali, po shikoja përpara. E dija që ishin katër muajt e fundit në nivelin e lartë, prandaj doja të bëja gjërat mirë. Këtu nga dita e parë më dhanë besim, gjithashtu tifozët”.

Kur arrite në ishull dhe tifozët të panë si figurë duke të lënë nofkën “pirati”…

“Ata janë shumë të qetë ku edhe nëse luan keq ose humbë – ata të mbështesin. Më kujtohet humbja 2:6 nga Granada. Atë ditë nëse pyesje dikë në skuadër, ata të gjithë thoshin se jemi në divizionin e dytë. Por, tifozët kishin besim dhe besuan deri në fund. Një mijë herë faleminderit ndaj tyre sepse më besuan dhe tani jam në shtëpi”.

A të pëlqen si luan Mallorca?

“Jam sulmues dhe dua të shënoj gola. Është e vërtetë që luajmë pak defensivë, por në fundin e sezonit askush nuk pyet si luajte, vetëm e shikojnë tabelën dhe e shohin nëse je në divizionin e parë ose jo. Ndonjëherë nuk bëjmë asgjë, por e vjedhim topin, kalojmë në epërsi dhe shkojmë në shtëpi”.

Duke folur për ndeshjet, si e sheh figurën e Javier Aguirre?

“Nga dita e parë që arrita, ai ka qenë i mirë me të gjithë. Kur arriti kishim 12 ndeshje pa fitore, ishim në momente të vështira dhe të fokusuar që të mos pranonim gola. Ai na dha shumë besim. Këtë sezon skuadra ka ndryshuar, por nuk do thosha 100 për qind. Ai e ka vendosur tërë eksperiencën, është shumë i disiplinuar dhe kjo më pëlqen shumë”.

Ka shumë lojtarë që kur shkojnë në Mallorca dhe kur pensionohen qëndrojnë në ishull, a ke plane të investosh këtu?

“Kam jetuar tetë vite në Turqi dhe gjithmonë doja të jetoja aty. Kam një vit këtu në ishull dhe e vërteta është që më ka ndryshuar shumë. Tashmë kam nisur të kërkoj shtëpi ku të jetoj”.

Në vitet e 90-ta, lufta ballkanike ndodhi dhe ti ishe fëmijë, si të kujtohet ajo kohë?

“Gjithmonë e them se asnjë njeri nuk duhet të shoh atë që kam parë unë gjatë atyre viteve. Duhet të largoheshe nga shtëpia sepse disa ushtarë vinin, ata të thoshin se do të montonin disa bombe dhe ti duhet të largoheshe. Kur jetuam në Shqipëri ishte kohë e vështirë”.

Ke punuar që në kohë të re, si ishte jeta jote nga fëmijë në adoleshent?

“Kam punuar në restorant me dajt e mi që kur isha nëntë vjeç. Aty bëja gjithçka: kamerier, ndihmoja në kuzhinë etj. Kjo derisa arrita në Shqipëri në moshën 16-vjeçare. Gjatë asaj kohe vetëm unë mund të punoja për nënën dhe motrën time, sepse babi vdiq në luftë. Kisha shkollë dhe futboll, prandaj vendosa të lë shkollën sepse futbolli është jeta ime. E di që nuk bëra mirë që e lashë shkollën dhe tani mund të them se isha me fat”.

Si ndikon futbolli tek një fëmijë që ka qenë në luftë?

“Pas luftës, një skuadër nga qyteti njoftoi se do të marrin fëmijë për t’i stërvitur. Nëna ime që i pëlqente shumë futbolli me bindi të stërvitesha pavarësisht që isha shumë larg shtëpisë. Asnjëherë në jetën time nuk mendova se do të bëhesha profesionist. As nuk e imagjinova të shënoj në Turqi, Seria A. Kurrë nuk mund ta imagjinoja sepse ishte shumë vështirë. Në fund falë mentalitetit tim punës dhe fatit ia dola”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *