Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka deklaruar të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështje urgjente.
Chollet në një takim me gazetarët nga Kosova, vlerësoi se zbatimi i Asociacionit ka marrë rëndësi më të madhe pas ngjarjeve të fundit veri të Kosovës, raporton Gazeta10.
Ai ka thënë se SHBA-të presin propozime konkrete në tryezën e dialogut me Serbinë.
“Themelimi i Asociacionit të komunave serbe është një çështje urgjente. Dhe, është një çështje urgjente në agjendën e dialogut. Kjo ka marrë një rëndësi edhe më të madhe pas ngjarjeve të fundit në Veri. E kemi thënë privatisht dhe publikisht. Është një mesazh që e përsërita këtu sot. Ne presim që qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë. Unë thjesht dua të jem shumë i qartë, megjithatë, se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një marrëveshje si Republika Srpska”, tha Chollet.
Sipas numrit dy të Departamentit Amerikan të Shtetit, SHBA-të nuk po kërkojmë nga Kosova që të mbështesë asnjë marrëveshje që nuk është në përputhje me ligjet dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
“Parlamenti i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen e Brukselit dhe është vendosur që është e nevojshme të krijohet një asociacion të komunave me shumicë serbe dhe besojmë se ky asociacion është ligjërisht i detyrueshëm për qeverinë e Kosovës. Sot dëgjuam sërish se asociacioni është shumë i rëndësishëm për komunitetin serb, që të dëgjohet zëri i tyre dhe bën që të drejtat e tyre të jenë plotësisht të mbrojtura. Themelimi i asociacionit është diçka që ne e kemi avokuar në të gjitha nivelet e qeverisë për ta zbatuar dhe kemi b iseduar me palët e interesuara për këtë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, tha tutje Chollet.
Chollet e ka nisur vizitën në Ballkan nga Shkupi. Pas Kosovës, këshilltari amerikan pritet të vizitojë edhe Serbinë.