Një person ka vdekur e dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, në Vërmicë, raporton Gazeta10.
Lajmin për Gazeta10 e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë së Kosovë, Duat Hoxha i cili ka thënë se personat e lënduar janë dërguar në Spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor.
“Njësitet kompetente policore iu kanë përgjigjur rastit, përderisa ekipi mjekësor ka konstatuar se një person ka humbur jetën. Dy persona të tjerë po ashtu si pasojë e aksidentit kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Prizren. Në vendin e ngjarjes kanë dalë Njësiti i hetimeve, zjarrfikësit si dhe autoambulanca, për rastin gjithashtu është njoftuar edhe Prokurori e Mjekësia Ligjore”, ka thënë Hoxha.
Nga Policia kanë shtuar se janë duke u kryer hetime aktive për të mësuar shkaqet e aksidentit dhe kanë bërë apel për kujdes në vozitje gjatë reshjeve atmosferike.
“Policia e Kosovës u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë shenjat dhe kufizimet e shpejtësisë, posaçërisht në kohë të ndryshimeve atmosferike dhe reshjeve për të shmangur raste të tilla të aksidenteve me pasoja fatale.”, ka thënë Hoxha.