SKANDALOZE: Tre kirurgë dyshohet se morën para nga pacientët për të kryer operacionet në Spitalin e Vushtrrisë

Tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë dyshohet se kanë marr para nga pacientët për të kryer operacionet. Paratë nga rreth 150 deri në 400 Euro, siç rrëfejnë pacientët dhe familjarët në katër video ekskluzive që ka siguruar Gazeta Shneta, mjekët i kanë marr në emër të blerjes së materialit (kryesisht rrjeta dhe klipa) të nevojshëm për operacion. Në mesin e kirurgëve është Isuf Zekaj – shef i kirurgjisë në SP Vushtrri dhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, dhe dy kirurgët Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj. Tre kirurgët po hetohen edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës

Tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë janë përfshirë në një skandal ryshfeti pasi dyshohet se kanë marr para nga pacientët për të kryer operacionet. Në katër video ekskluzive që ka siguruar Gazeta Shneta, flasin pacientë dhe familjarë të pacientëve të operuar nga kirurgët Isuf Zekaj, Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj.

Kirurgu Zekaj është shef i repartit të kirurgjisë në SP Vushtrri, si dhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së i emëruar në korrik të vitit të kaluar kur MSH udhëhiqej nga ish-ministri Rifat Latifaj.

Në video familjarët tregojnë se si iu kanë dhënë para kirurgëve për të kryer operacionet. Paratë, nga rreth 150 deri në 400 Euro, janë dhënë në emër të blerjes së materialeve, kryesisht rrjeta dhe klipa. Këto dy materiale nuk janë të përfshira në Listën Esenciale të Materialeve shpenzuese.

Gjatë hulumtimit Gazeta ka siguruar informacione nga sektori privat se rrjetat në barnatore kushtojnë nga 15 deri në 30 Euro, ndërsa ka edhe të shtrenjta 200 deri në 300 Euro. Kurse klipat të cilat nevojiten për stopimin e gjakderdhjes, kushtojnë rreth 10 Euro disa copë.

Gazeta Shneta i ka siguruar këto video përmes një sinjalizuesi në muajin shtator të vitit 2022. Video-materialet fillimisht janë dorëzuar në organet e hetuesisë në Policinë e Kosovës nga gazetari Bujar Vitija, pasi sinjalizuesi ka kërkuar të mbetet anonim.

Emrat e kirurgëve të cilët nuk përmenden në video, janë identifikuar përmes programeve operative të ditëve kur pacientët janë bërë operacion. Dokumentet e programeve operativ i posedon Gazeta Shneta, dhe të njëjtat bashkë me videot janë dorëzuar në Polici.

Nga ajo kohë deri më sot Gazeta ka mësuar se janë zhvilluar hetime nga Policia në rajonin e Mitrovicës dhe hetimet i ka konfirmuar edhe prokurorja e rastit Fetije Bajrami nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Ajo ka thënë se janë duke mbledhur prova, megjithëse provat janë dorëzuar që nga tetori i vitit të kaluar. “Jam duke u marr intensivisht me rastin. Jemi në mbledhje të provave. Jemi në hetime dhe nuk mund të flas më shumë”, ka deklaruar Bajrami.

Video-dëshmitë që zbardhin dyshimet për korrupsion
https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=420&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FGazetaShneta%2Fvideos%2F1374011170075246%2F&show_text=false&width=560&t=0

Nga fundi i muajit gusht të vitit të kaluar Gazeta Shneta ka bashkëpunuar me një sinjalizues në Spitalin e Vushtrrisë, pasi ai ka raportuar për korrupsionin e disa mjekëve në këtë institucion. Sinjalizuesi kishte pranuar të bashkëpunonte për të siguruar disa prova dhe i njëjti ka xhiruar biseda me pacientë dhe familjarë të pacientëve të cilët i kanë kryer operacionet në këtë spital.

Bisedat janë kryer derisa pacientët ishin ende të shtrirë në spital.

Në dy rastet e para bëhet fjalë për dy pacientë të operuar nga kirurgu Isuf Zekaj. Emrat e pacientëve janë të njohur për redaksinë por do të mbahen të fshehtë për shkak të ruajtjes së privatësisë së tyre.

Pacienti i parë i shtrirë në repart pas operacionit, i tregon sinjalizuesit se i është dashur të paguaj 200 Euro për materialet e nevojshme për intervenim. Pacienti heziton të tregoj detaje duke thënë se për të ishte e rëndësishme që të kryente punë.

Në rastin e pacientit të dytë të operuar nga Zekaj, flet një familjar i pacientit i cili thotë se i ka dhënë mjekut 250 Euro me arsyetimin për të blerë materialet.

Familjari: Ai i ka kry krejt se unë nuk dijsha

Sinjalizuesi: Kush vllau a?

Pacienti: Unë, unë.

Sinjalizuesi: Ti ja ke dhanë doktorit a?

Familjari: Po doktorit ja kam dhënë.

Sinjalizuesi: Sa ja ke dhënë?

Familjari: 250...Janë tha do më të dobëta 180, por më mirë është 250.

Në rastin e tretë flet një familjar i pacientit të operuar nga kirurgu Ekrem Sefiu. Ai thotë se kishte shkuar në Spitalin e Vushtrrisë dhe rastësisht ishin takuar me Sefiun. Familjari tregon se motra e tij i ka dhënë mjekut rreth 140 Euro për operacionin.

Familjari: Diçka pagujtëm s’di çka janë ato.

Sinjalizuesi: Klipat. Kujt ia dhe, doktorit a?

Familjari: Doktorit. S’po më intereson veç le të kryhet mirë.

Sinjalizuesi: Sa ja dhe?

Familjari: 150-160 nuk e di sa, 140 a…Na ndodhi nuk jena provu…Qashtu diçka se motra ia ka dhanë.

Ndërsa në rastin e katërt flet një paciente e moshuar. Ajo kishte kryer një operacion në Spitalin e Vushtrrisë ndërsa disa javë më vonë iu nënshtrua një intervenimi të dytë në Spitalin e Mitrovicës. Pacientja tregon se ia kishte dhënë kirurgut Arsim Latifi 400 Euro për të kryer operacionin e parë. Sipas saj, mjeku ia kishte kërkuar paratë për të blerë mrezhat.

Pacientja tutje tregon se për operacionin e parë fillimisht kishte shkuar në Spitalin e Mitrovicës ku i kishin thënë se duhet të heq peshë 10 kg për t’iu nënshtruar operacionit. Më pas kishte shkuar në Spitalin e Vushtrrisë ku sipas saj kirurgu i ka thënë se intervenimin mund ta kryej nesër.

Pacientja: Arsim Latifi.

Sinjalizuesi: Sa pare t’i mori?

Pacientja: 400 Euro. Po pasha Zotin!

Sinjalizuesi: A të tha blej a paret?

Pacientja: Jo jo, paratë ia dhashë. Unë s’di me ble, çka di unë çka janë mrezhat.

Sinjalizuesi: E ku i more paratë, prej pensionit a?

Pacientja: Jo valla e kam pas djalin jashtë, se sa për pension ilaçe nuk më del.

Pas këtyre xhirimeve, sinjalizuesi i ka dorëzuar materialet tek Gazeta Shneta. Ai ka kërkuar të mbetet anonim. Video-incizimet janë dorëzuar në Policinë e Kosovës më datën 3 tetor të vitit 2022 nga gazetari Vitija.

Gazeta ka kontaktuar me tre kirurgët e përfolur në këtë rast por asnjëri prej tyre nuk ka kthyer përgjigje e as nuk kanë dhënë sqarime në pyetjet e dërguara përmes email-adresave dhe në numrat e tyre në platformën Viber. Përgjigje dhe sqarime nuk kanë dhënë as menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë në pyetjet e gazetës drejtuar drejtoreshës ekzekutive Shefkije Shatri dhe Abdullah Klinakut.

Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *