Kurti: Kosova, vend ideal për investime nga Britania e Madhe

Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim Sekretarin e shtetit në hije për Çështjet e Jashtme, Commonwealth dhe Zhvillim, David Lammy.

Në bashkëbisedimin e ngrohtë, siç u bë e ditur në komunikatë, u kujtuan zhvillimet e vitit 1999 dhe rolin vendimtar të Britanisë së Madhe në çlirimin e Kosovës nën drejtimin e laburistëve Tony Blair dhe Robin Cook.

Kryeministri e falënderoi Lammyn për kontributin e vazhdueshëm të Britanisë së Madhe ndaj Kosovës.

Në këtë takim, Kurti theksoi progresin në Kosovë, duke përmendur faktin që, përkundër krizës botërore me pandeminë COVID-19 dhe krizën energjetike, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje të konsiderueshme.

“Së bashku me përmirësimet në indekset e demokracisë dhe sundimin e ligjit që rënditin Kosovën të parën në Ballkanin Perëndimor, Kosova është vend ideal për investime për kompanitë nga Britania e Madhe që kërkojnë ‘near-shoring’”, theksoi Kurti.

Kryeministri, siç u bë e ditur në komunikatë, veçoi mundësitë për rritjen e shkëmbimit tregtar mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe, si dhe investimet në sektorin e energjisë.

Ndërsa Lammy ofroi bashkëpunimin e tij, ai theksoi nevojën e identifikimit sa më shumë fusha të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes të dyja vendeve, ashtu që Britania e Madhe të mund t’i ndihmojë sa më shumë Kosovës.

“Në takim u diskutua edhe për çështjet aktuale, duke përfshirë dialogun dhe nevojën për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, si dhe çështjet e sigurisë”, u bë e ditur në komunikatë.

Gjithashtu, Kurti theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit mes institucioneve të sigurisë të Kosovës dhe të Britanisë së Madhe në luftimin e aktorëve malinj, që synojnë destabilitetin e Kosovës dhe të rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *