Sot në varrezat e qytetit të Kukësit iu dha lamtumira e fundit, Visar Cengu, 31 vjeçar, i cili u vra në makinë duke u larguar nga lokali “Kobra City” në dalje të Prizrenit.
Një numër i madh i qytetarëve dhe familjarëve ishin të pranishëm për ta përcjellë në banesën e fundit Visar Cengun.
Vrasja ndodhi të martën, ndërsa i dyshuari për vrasjen e Visar Cengut është Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”.
Gjykata Themelore në Prizren iu ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaj ndaj Dibran Hoxhajt dhe pesë personave tjerë, lidhur me vrasjen që ndodhi të martën në Prizren, ku një person ka mbetur i vrarë e një tjetër i plagosur.
Në njoftimin gjykatës bëhen të ditura rrethanat e rastit tragjik. E tërë ngjarja kishte ndodhur në parkingun e lokalit “Kobra City”.
“I pandehuri Dibran Hoxhaj më 3 janar rreth orës 04:00 e mëngjesit, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren – Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën Visart Cengun, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit Rufgen Shehu, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e dëmtuarit A.B., që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e gjykatës, përcjell Insajderi.