Lufta e viteve 1998-99 me Serbinë i shkaktoi Kosovës plagë të mëdha, prej të cilave ende i vuan pasojat.
Shifrat s’arrijnë t’i shfaqin dhimbjet e secilës familje që i humbën më të dashurit e tyre, s’e tregojnë as tmerrin që përjetuan gratë e dhunuara gjatë luftës, shkruan Klan Kosova.
Shteti i Serbisë ua mori jetën mbi 10 mijë civilëve në Kosovë, dhunoi rreth 20 mijë gra dhe vrau mbi njëmijë fëmijë – edhe pse ata nuk përbënin rrezik ndaj askujt.
Në një kohë kur dora e shtetit të Kosovës nuk po arrin t’i ndëshkojë kriminelët që i shkaktuan këto krime, më e pakta që mund të bëhet është të jetësohet kujtesa për këto viktima.
E për t’i kujtuar fëmijët, Qeveria e Kosovës ka filluar përgatitjen dhe zbatimin e projektit “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë”.
Gjatë miratimit të planit të veprimit, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se “është detyrë e secilit prej nesh, që të mos ndalemi së kërkuari drejtësi, e që e vërteta të dalë në pah për të gjitha jetët e humbura të fëmijëve gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë”.
Për të mësuar më shumë rreth këtij memoriali, Klan Kosova e ka intervistuar nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevcin [e mbijetuar e luftës në Kosovë], e cila njëherësh është edhe kryesuese e grupit punues për projektin në fjalë.
“Fillimisht është bërë grupi punues ku unë jam përzgjedhur si kryesuese dhe në të njëjtën kohë janë përcaktuar edhe ministritë përkatëse. Si grup punues, e kemi pasur për detyrë që ta hartojmë planin e veprimit dhe në bazë të këtij plani të realizohet memoriali”, tha deputetja.
Ajo thekson se konsultimi me familjarë që kanë humbur fëmijët e tyre gjatë luftës në Kosovë është prioritet mbi prioritetet për realizimin e memorialit.
“Në bazë të planit si pikë fillestare, së pari është konsultimi me familjarë; me prindërit që i kanë humbur fëmijët gjatë luftës apo motrat dhe vëllezërit që i kanë humbur më të dashurit e tyre. Pastaj gjithashtu do të ketë edhe konsultime dhe bashkëpunim edhe me akterët e tjerë të cilët kanë punuar në këtë drejtim, qoftë ata që kanë bërë dokumentim për fëmijët e vrarë gjatë luftës apo ata që kanë ekspertizë rreth të dhënave për ndërtimin e një memoriali”, thotë e mbijetuara e masakrës, Saranda Bogujevci.
E kur të mblidhen të gjitha këto të dhëna, ajo thotë se do të krijohen edhe idetë se si do të duket ky memorial dhe në bazë të kësaj përcaktohet lokacioni. Kjo, sipas saj, varet prej familjarëve për shkak se memoriali ndërtohet për ta, dhe në fund është pjesa përfundimtare, ndërtimi i memorialit.
“Dy gjëra që janë me rëndësi të theksohen: [1] të gjithë do të jenë të përfshirë në këtë proces dhe [2] memoriali duhet të jetë i fokusuar për ata që kanë humbur fëmijët e tyre – ky duhet me qenë një memorial i realizuar për ata që i kanë humbur fëmijët gjatë luftës”, u shpreh Bogujevci.
Grupi punues po ashtu synon që gjatë procesit për realizimin e memorialit, të përcaktohet edhe numri i saktë i fëmijëve që janë vrarë apo që janë zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
“Është një numër i madh i fëmijëve që janë të vrarë ose të zhdukur gjatë luftës. Ky proces do ta determinojë edhe numrin e saktë të fëmijëve të vrarë apo të zhdukur gjatë luftës”.
Grupi punues po ashtu synon që gjatë procesit për realizimin e memorialit, të përcaktohet edhe numri i saktë i fëmijëve që janë vrarë apo që janë zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
“Është një numër i madh i fëmijëve që janë të vrarë ose të zhdukur gjatë luftës. Ky proces do ta determinojë edhe numrin e saktë të fëmijëve E pyetur se a mundet kjo iniciativë për memorial të zgjerohet në një muze sikur “Muzeu i Fëmijërisë së Luftës” që ndodhet në Sarajevë të Bosnje e Hercegovinës, një koleksion i të cilit u ekspozua gjatë muajit prill 2022 në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Bogujevci nuk e përjashtoi këtë mundësi.të vrarë apo të zhdukur gjatë luftës”.
Tutje, e mbijetuara e masakrës në Podujevë, e cila i ka mbijetuar 16 plumbave dhe ka humbur tetë anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit e saj gjatë sulmit brutal ushtarak të Serbisë ndaj shqiptarëve në vitet 1998-99, ka përdorur një shembull nga jeta e saj personale për të dëshmuar se sa i rëndësishëm është konsultimi me familjarët e viktimave, për ndërtimin e një memoriali të mirëfilltë.
“Një shembull, kur jemi pyetur se si i përkujtojmë anëtarët e familjes që i kemi humbur gjatë luftës, neve na është kujtuar gjyshja përmes kopshtit. Kjo është mënyra që e ka ngjallë një pjesë të jetës së saj sepse kopshti ka qenë i gjyshes dhe ne jemi rritur me të. Mendoj se këto detaje janë tepër të rëndësishme sepse kur një familjar shkon te memoriali, duhet të ketë edhe të dhëna që sjellin kujtime”.
“Këto gjëra do të përcaktohen kur ne t’i kemi të gjitha të dhënat sepse ne të gjithë kemi ide të ndryshme. Është tepër e rëndësishme që ne si Qeveri e Kosovës ta dëgjojmë zërin e familjarëve dhe pastaj ne e udhëzojmë këtë proces secili me ekspertizën e vetë”, u shpreh nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Në pyetjen se sa kohë do të nevojitet deri në finalizimin e këtij projekti, ajo ka thënë se shumë shpejt do të dalë edhe plani i veprimit.
“Janë disa të dhëna dhe shumë shpejt do të dalë edhe plani i veprimi. Nuk do të kisha dëshirë që tani ta them datën se kur pritet të përfundojë i gjithë procesi”.
Bogujevci shton se është me rëndësi që “Memoriali për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë” të përfundojë sa më shpejt që është e mundur, pasi që Kosova është vonuar në ngritjen e një memoriali të tillë.
Kujtojmë se përveç grupit punues, për ndërtimin e memorialit do të kontribuojnë edhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe do të zgjerohet me përfaqësues të familjeve të fëmijëve të vrarë gjatë luftës, ekspertë, përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.