Liderët opozitarë urojnë qytetarët për Vitin e Ri

Liderët e partive opozitare në vend u kanë uruar qytetarëve të Republikës së Kosovës festat e fundvitit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook me anë të një videoje mesazhi ka thënë se viti 2022 kishte një qeverisje të dobët dhe arrogante.

Sipas tij, ky vit nuk ishte aspak i lehtë pasi siç u shpreh ai qytetarët përballen me një gjendje të rëndë ekonomike si dhe një situatë të tensionuar politike.

“Ky vit nuk ishte aspak i lehtë. Për shoqërinë tonë, për shtetin tonë. Me një gjendje të rënduar ekonomike, me një shëndetësi të lënë pas dore me një qeverisje të dobët dhe arrogante me një situatë të tensionuar politike, me një demokraci të rrezikuar askush nuk mund të ndjehet mirë”, ka thënë Krasniqi.

Edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj përmes një video-mesazhi ka uruar vitin e ri 2023.

Haradinaj në videon e publikuar ka thënë se viti që po lemë pas nuk ka qenë i lehtë, teksa ka falënderuar edhe miqtë ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë për Kosovën.

Haradinaj thotë se 2023 do të jetë shumë më i mirë.

“Po e përmbyllim një vit jo të lehtë, vitin 2022, por kemi shumë shpresë dhe jam i bindur që viti që po vjen 2023, do të jetë më i mirë. Nga zemra ju uroj, Gëzuar viti që po vjen”, tha Haradinaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *