Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se institucionet e Kosovës “nuk kanë asnjë fuqi në veri të Kosovës”.
Në një deklaratë për “TV Prva” të premten, Vuçiqi ka akuzuar Policinë e Kosovës për “provokim” në veri të vendit, një ditë pas heqjes së barrikadave.
“Këta njerëz nuk e kuptojnë që s’kanë asnjë fuqi në veri, askush nuk u frikësua nga shqiptarët. S’mund të bëjnë asgjë në veri. S’janë më të fortë se serbët”, ka thënë Vuçiqi duke pretenduar se dy njësite policore të Njësisë Speciale “kanë ndalur njerëz tek Ujmani vetëm për t’i provokuar”.
Të enjten, serbë lokalë hoqën barrikadat e vendosura për 20 ditë në veri të vendit, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq si të dyshuar për sulm ndaj Policisë së Kosovës dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore. Pasi Gjykata vendosi që t’ia ndryshojë masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak, serbët hoqën barrikadat.