Ditën e djeshme në spitalin e Traumës në Tiranë mbërriti një i plagosur me armë.
Policia tha dje se shtetasi me iniciale A,Sh., 50-vjeç i cili kishte marrë një plumb në gjoks, mbeti i plagosur në zonën e “Don Boskos” në Tiranë.
Ndërsa sot policia ka bërë me dije se i plagosuri i ditës së djeshme është 56 vjeç dhe se ka tentuar të vrasë veten dje pasi ka rrahur gruan e tij.
Sot policia e ka arrestuar dhe ka nisur hetimet.
Policia ka njoftuar se është arrestuar në flagrancë 56-vjeçari që u vetëplagos me armë zjarri, ditën e djeshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan në flagrancë shtetasin A. Sh., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky shtetas është paraqitur ditën e djeshme, në Spitalin e Traumës, me dëmtime të shaktuara nga përdorimi i armës së zjarrit.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, ditën e djeshme, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe më pas ka tentuar të vrasë veten me armën e zjarrit që e mbante pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë dhe një sasi municioni luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.