Ish-krahu i djathtë i Tites: Kush është braziliani, trajneri i ri i Kombëtares shqiptare?

Ish-mesfushori i njohur brazilian, Sylvinho do jetë trajneri i ri i kombëtares shqiptare të futbollit. Burime bëjnë me dije nga Federata Shqiptare e Futbollit, se 48-vjeçari do të jetë trajneri i ri i kombëtares, megjithëse ende nuk është zyrtare.

Si futbollist, 48-vjeçari ka pasur një karrierë të shkëlqyer, duke veshur fanellat e klubeve si Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona e Manchester City, ndërsa prej 2011-ës ka varur këpucët në gozhdë, për t’iu përkushtuar trajningut.

Eksperienca e parë si trajner ishte ajo e ndihmësit të Tites te Corinthias, ndërsa në dhjetor të 2014-ës u transferua në Milanon zikaltër, për të bërë ndihmësin e Roberto Mancinit në pankinën e Interit. Më 2016-ës u bë sërish krahu i djathtë i Tites, këtë herë në përfaqësuesen e Brazilit, ndërsa në 2019-ën provoi eksperiencën e parë si trajner i parë i një klubi të njohur.

Ishin francezët e Lyonit ata që i besuan pankinën, por eksperienca në Ligue 1 zgjati pak për Sylvinhon, që u shkarkua në tetor të 2019-ës, vetëm 4-5 muaj pas emërimit. Më pas, në maj të 2021-shit Sylvinho u emërua trajner i Corinthiasit, ku rezistoi thuajse një vit, pasi u shkarkua në shkurt të këtij viti.

Aktualisht Sylvinho është i papunë dhe në pritje të një shansi për të treguar se vlen edhe si trajner, teksa Kombëtarja Shqiptare ndoshta do të jetë një trampolinë e mirë drejt ligave të njohura europiane për brazilianin 48-vjeçar.

Argjentinasi që ka luajtur me City-n një nga ndihmësit e Sylvinhos në Kombëtare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *