Heqja e barrikadave në veri të Kosovës, Rama: Asgjë e re, shfaqja zgjati më shumë por pati të njëjtin fund

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, duke thënë se nuk u pa asgjë e re.

Në një shkrim në llogarinë e tij në Twitter, Rama tha se fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë.

“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!”, ka shkruar Rama.

“Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!”

Më tej Rama shkruan: “Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së radhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!”, ka shkruar Rama.

Rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori.

Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës.

Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.

Më 28 dhjetor, Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë.

“Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera, krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten,” tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e fundvitit me gazetarë.

Se barrikadat do të largoheshin tha të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova.

Shefi për politikë të jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se “diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës”.

Ai përshëndeti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. “Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje”, shkroi Borrell në një postim në Twitter.

“Tani kemi nevojë për përparim urgjent në dialog”, shtoi Borrell.

Ai, po ashtu, lavdëroi punën e BE-së, SHBA-së dhe KFOR-it lidhur me këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thanë më 28 dhjetor se janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *