Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova tha se janë dhënë garanci se kërkesat e tyre për heqjen e barrikadave do të plotësohen.
Presidenti serb mbrëmjen e 28 dhjetorit nisi bisedimet me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova për heqjen e barrikadave.
Në takim, Vuçiq tha se Dejan Pantiqi ka mbërritur në shtëpi dhe se kjo është një “fitore simbolike”.
Arrestimi i ish-policit serb, në të cilin Kosova dyshon se ka sulmuar anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka qenë arsyeja e barrikadave që përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës po mbajnë që nga 10 dhjetori.
Lirimi i tij është një nga kushtet për heqjen e bllokadave dhe më 28 dhjetor autoritetet në Kosovë ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Vuçiq, i cili po bisedon me përfaqësuesit e serbëve në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë afër kufirit me Kosovën, tha se kërkesa e tyre e dytë është që “njerëzit që ishin në barrikada të mos ndiqen penalisht”.
“Këtë e kemi të shkruar në letër, padyshim”, theksoi ai, raporton REL.
Duke folur për kërkesën e serbëve për të mos lejuar hyrjen e forcave speciale të Kosovës në veri, ai përmendi deklaratën e misionit të NATO-s (KFOR) të datës 28 dhjetor.
“Ne kemi një dokument të posaçëm që i jep të drejta edhe popullit serb në veri të Kosovës edhe shtetit të Serbisë, por gjithashtu i imponon KFOR-it obligim që të parandalojë hyrjen e forcave të sigurisë së Kosovës në veri për herë të parë”, tha ai.